25 miliardë lekë kreditim SME-ve dhe bujqësisë, bizneset nisin aplikimet pranë bankave të nivelit të dytë

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Është çelur programi i ri i financimit të SME-ve, që synon të nxisë kreditimin e bujqësisë si dhe biznesin e vogël dhe të mesëm, pa kolateral me interesa respektive 2% dhe 3,5 %.
Erald Themeli, drejtor i Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, tha se, “programi tashmë është bërë aktiv dhe çdo biznes i këtij sektori, mund të shkoj tek një nga bankat e nivelit të dytë për të shfaqur interes për mbështetje financiare”. Ai vuri në dukje gjatë një interviste televizive se, programi i financuar me vlerë totale 25 miliardë lekë, nga Banka e Shqipërisë është shpërndarë tek bankat e nivelit të dytë, për mbështetjen e kreditimit të bizneseve të vogla dhe sidomos atyre bujqësore. Sipas tij, analizat e Bankës së Shqipërisë kanë evidentuar se megjithëse kemi një rritje relativisht të shpejtë, të qëndrueshme e solide të kredisë në përgjithësi për ekonominë shqiptare dhe për bizneset në veçanti, kreditimi i biznesit të vogël e të mesëm ecën me ritme mjaft më të ngadalta në krahasim me kreditimin e sektorit të biznesit të madh apo korporatave. Ndërkohë që pjesa e kredisë që shkon për sektorin bujqësor nuk e kalon nivelin 2% të totalit të kredisë bankare për bizneset. Për këtë arsye, nisma e fundit e Bankës së Shqipërisë për miratimin dhe vënien në zbatim të një Programi Financimi për biznesin mikro, të vogël dhe të mesëm, ofron një mundësi për hapjen e një kapitulli të ri në kreditimin e sektorit bujqësor. Banka e Shqipërisë i ka bërë vazhdimisht thirrje bankave tregtare që të orientohen me prioritet drejt kreditimit të sektorit bujqësor që financohet 4 herë më pak se bizneset mikro, ndonëse ka potenciale mjaft të mëdha për nxitjen e rritjes ekonomike dhe zgjerimin e bazës së saj në të gjithë sektorët ekonomisë. Themeli tha se, “fondi i vënë në dispozicion nga Banka e Shqipërisë arrin vlerën 25 miliardë lekë. Fondi lëvrohet nga bankat tregtare në formën e një kredie me një normë interesi më të favorshme se normat aktuale të tregut, me një normë tavan prej 3.5%, kundrejt interesit 5,5 % apo 6% që aplikohet aktualisht nga bankat. Ndërsa kreditimi pa kolateral për biznesin, që do të mbulohet nga fondi i garancisë sovrane të qeverisë”. Ai bëri të ditur se, bankat tregtare kanë aplikuar dhe e kanë marrë këtë fond nga BSH për kreditimin e biznesit dhe janë vetë bankat tregtare që bëjnë përzgjedhjen e kredimarrësve mbi bazën e aplikimeve. Kohëzgjatja e kredisë është deri në 3 vjet, ndërsa zbatimi i këtij programi mbyllet në fund të vitit 2025. Ky program do të mbështesë investimet në serra, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural. /j.p/