E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Skema e re e pensioneve, Manjani: Drafti gati në fund të vitit, përshpejtohet rritja e moshës së daljes në pension

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Pas më shumë se një dekadë të reformës në sistemin e pensioneve, qeveria po e rishikon sërish atë, me qëllim rritjen e pensioneve të ulëta, duke çuar tek të moshuarit më shumë fonde, kjo edhe prej rritjes ekonomike.

Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani bën të ditur se brenda vitit do të jetë gati edhe reforma e re e pensioneve.

Sipas Manjanit, themelet e skemës së 2014-ës, vetëm do të përforcohen.

Ajo informoi se rritja e moshës së daljes në pension do të ndodhë më shpejt se sa viti 2056, kur ishte parashikuar barazimi i moshës për burrat dhe gratë.

“Kur u miratua reforma gratë dilnin 60 vjeç dhe burrat 65 vjeç, aktualisht ka filluar rritja graduale e moshës së pensionit për gratë dhe jemi në 61 vjeç e 10 muaj, 2 muaj rritje çdo vit dhe në vitin 2032 do të fillojë edhe rritja e moshës së pensionit për burrat. Kjo mund të jetë një nga ndërhyrjet ku në vend të që jetë viti 2056 për barazimin e moshës të përafrohet pak në vitin 2050 apo më herët”, shprehet zëvendësministrja në një intervistë në medie.

Po ashtu, Manjani shpjegon se nuk do të ndryshojë formula e indeksimit dhe e llogaritjes së pensionit.

Deri kur skema të jetë gati, zv/ministrja thotë se pensionistët do të vijojnë të mbështeten me bonuse.

“Mënyra sesi është ndërtuar skema bazohet një formulë të caktuar ku pensioni social që shumëzohet me vitet kontributive përmbi vitet totale të përfitimit të pensionit që aktualisht është 38.8 vite dhe çdo vit rritet me 4 muaj dhe deri në vitin 2028 do të jenë 40 vite kontribute për të përfituar pensionin e plotë +1% për çdo vit kontribut bazuar në pagën mesatare në të gjithë ciklin e jetës. Ne nuk do të ndryshojmë mënyrën sesi do të bëhet llogaritja e pensionit”, shprehet Manjani.

Zëvendësministrja siguroi se nuk do të bëhet indeksim i diferencuar duke favorizuar pensionet e ulëta, pasi preket parimi themelor mbi të cilin kemi ngritur skemën që është ai kontributiv.

“Nëse do ta bënim indeksimin në formë të diferencuar kjo do të thotë se do të prekim parimin kryesor të skemës atë kontributiv. Nuk duam ta bëjmë këtë gjë sepse nuk duam të demoralizojmë të gjithë ata që paguajnë kontribute reale për përfitimin e pensionit”, thotë Manjani.

Në diskutim është edhe pensioni social, ku propozimet janë që të mos merret automatikisht pasi mbush moshën 70 vjeç, por të marrin për aq sa kanë kontribuar.

“Banka Botërore ka propozuar që pensioni social të lidhet me masën e kontributeve. Pra nëse dikush ka kontribuar me 10 vite ai të marrë ekuivalentin e kontributeve të këtyre viteve dhe të mos përfitojë automatikisht atë që mund të konsiderohet si pensioni social”, thotë Manjani.

Manjani deklaroi se në rastet kur kontributet janë paguar mbi pagën reale dhe janë plotësuar vitet e punës, pensioni që merr arrin deri në 50% të pagës mesatare.

“Ka rëndësi norma e zëvendësimit që është raporti i pensionit mesatar ndaj pagës mesatare. Pra sa i zëvendësojmë ne të ardhurat gjatë ciklit tonë të jetës me anë të pensionit. Për pensionin e plotë kjo masë mbulimi është mbi 50% që në disa raste dhe më e lartë se mesatarja e vendeve të BE”, theksoi zëvendësministrja. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›