25 vatra zjarresh në 24 orë, 5 prej tyre ende aktive, situata më e vështirë në Krujë dhe Pukë

Vendi ynë vijon të mos gjejë paqe në luftën me flakët edhe pse gjatë 24 orëve të fundit nga 25 vatra zjarri të raportuara, 5 vatra janë aktive dhe 1 zonë është në monitorim.
Në Mallakastër, pas disa ditësh operacione intensive, zjarret janë shuar plotësisht. por në Drenie, të Patosit, është evidentuar një riaktivizim në thellësi të pyllit dhe strukturat operacionale po vijojnë punën.
Në Krujë, vijon angazhimi i forcave në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil, pas riaktivizimit të flakëve një ditë më parë.
Në Abaze, pavarësisht përhapjes së favorizuar nga era, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Krastë–Halil, në orët e para të mëngjesit u angazhuan 2 helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët ndërhynë për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbështetur forcat operacionale në terren.
Pas ndërhyrjes nga ajri, situata u normalizua dhe puna vijon për kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrës. Në dy vatrat e Krujës janë angazhuar në total 4 helikopterë të Forcës Ajrore.
Po ashtu Kurora e gjelbër e qytetit të Pukës është rrezikuar seriozisht mëngjesin e kësaj të marte, pasi një vatër zjarri përfshiu një pjesë të sipërfaqes së pyllëzuar. Dyshimet e para janë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, ndërsa përballë flakëve kanë ndërhyrë menjëherë shërbimet zjarrfikëse të Pukës, të ndihmuara edhe nga banorët e lagjes Laçaj.
Ndërhyrja e shpejtë bëri të mundur vënien nën kontroll të flakëve, duke shmangur përhapjen e tyre dhe marrjen e përmasave më të mëdha.
Në Priskë e Madhe, në Tiranë, vijon puna për vënien nën kontroll të vatrës, por nuk ka rrezik për zonat e banuara, ndërsa Dajti vijon të mbahet në monitorim.