25-vjetori i sulmeve të 11 shtatorit, Ambasada Amerikane në Tiranë nderon 2,977 viktimat: Nuk do ta harrojmë kurrë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përkujtuar sot 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, duke nderuar 2,977 viktimat e humbura në Nju Jork, Virxhinia dhe Pensilvani, mes tyre edhe tre shqiptaro-amerikanë.
Në një postim, Ambasada kujtoi momentin kur, në orën 8:46 të mëngjesit, avioni i parë goditi Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë.
Në këtë përvjetor, komuniteti i Ambasadës në Tiranë mbajti një minutë heshtje për të nderuar jetët e humbura dhe për të shprehur solidaritetin me familjet e viktimave.
E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, theksoi se kujtesa e kësaj ngjarjeje mbetet e gjallë edhe pas një çerek shekulli. “Ne kujtojmë çdo jetë të humbur. Nderojmë punonjësit e shërbimeve të emergjencës të cilët u vunë përballë rrezikut dhe familjet që e kanë mbartur këtë dhimbje prej një çerek shekulli. Nuk do ta harrojmë kurrë.”
/rtsh.al/