E Shtunë, 31 Tetor 2026

250 Krime

Për atë që shqiptarët kanë dyshuar para shumë vjetësh, e konfirmuan të hënën vet autoritet serbe. Në Rashkë të Serbisë, dyshohet se janë varrosur mbi 250 shqiptarë të vrarë gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë. Trupat e tyre ishin fshehur nën një punishte e cila për 11 vjet ka zgjatur vuajtjet e familjeve kosovare.

Me to edhe shpresat e mijëra familjeve shqiptare, të cilët edhe më tutje kërkojnë të afërmit e tyre. Tani Serbia pranon se aty ekziston një varrezë masive. Bëhet fjalë për një vend që gjendet shumë afër kufirit Kosovë – Serbi. Lajmin e bëri të ditur vetë Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte. “Mund të konfirmojmë se është zbuluar një varr masiv”, deklaroi Bruno Vekariq, zëdhënësi i Prokurorisë serbe për Krime Lufte.

Por edhe në këtë rast, autoritetet serbe sikur duan të përfitojnë, pavarësisht se këtë krim monstruoz e ka kryer shteti i tyre. Me eshtra në duar, ata thirren në vlera demokratike. Bruno Vekariq thotë se në këtë varr masiv llogaritet të jenë rreth 250 trupa. Ai shtoi se tani duhet pak kohë derisa të fillojnë ekshumimi i trupave. “Këto gjetje do të na ndihmojnë të marrim prova jetike lidhur me disa rate që i kemi në zyrën e prokurorit për krime lufte. Në të njëjtën kohë, kjo është shumë e rëndësishme pasi forcon besueshmërinë e Serbisë ndaj vlerave demokratike”, tha Vekariq.

E pikërisht në rreshtin e fundit të fjalisë së prokurorit serb dyshon Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore në QKUK. Atë nuk e ka befasuar aspak gjetja e kësaj varreze masive, aq më pak në këtë kohë. “Ne e kemi ditur qysh moti dhe ia kemi dhënë edhe informacionet autoritet serbe, mirëpo ato nuk i kanë përfill ato”, vlerëson ai.
Sipas Gërxhaliut autoritet serbe janë në gjendje qysh sot të tregojnë për të gjitha varrezat masive që gjenden në territorin e saj. “Tash kanë dalë me këtë lajm bombastik. Për mua kishte qenë lajm nëse kishin treguar për një varrezë masive apo vend që ne nuk kemi dyshuar më parë, nuk e kemi ditur atë lokacion”, shton ai. Sipas tij Beogradi po përdor viktimat e luftës për të përfituar politikisht.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë në Serbi, Snezhana Maloviq, vlerësoi se zbulimi i varrezës masive në Rashkë, me mbetjet mortore të 250 shqiptarëve të Kosovës, ka rëndësi të madhe për të dëshmuar të vërtetën mbi krimet e kryera në Kosovë.

Maloviq tha se kjo është provë se Serbia është e gatshme që ta hetojë të vërtetën për të gjitha krimet në këto hapësira.

"Ne jemi plotësisht të gatshëm të zbardhim të vërtetën për të gjithë personat e zhdukur në territorin e Kosovës, dhe t'i nxjerrim para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime", ka thënë Maloviq.

Pas lajmit për zbulimin e një varri masiv ku gjenden trupat e pajetë të rreth 250 shqiptarëve, misioni i EULEX-it përmes një kumtese ka njoftuar se ka qenë i angazhuar kohë më parë në zbardhjen e këtij rasti.

EULEX-i thekson se i jep prioritet të lartë çështjes së krimeve të luftës, veçanërisht gjetjes së mbetjeve mortore të personave që janë ende të pagjetur nga konflikti i vitit 1998-99 dhe pas tij.

Më tutje, EULEX thekson se për varrin e zbuluar në Rashkë të Serbisë, kanë qenë duke punuar kohë më parë.

“Ne i kemi ofruar informacionet dhe të dhënat operative lidhur me një lokacion të mundshëm të një varreze masive në rajonin e Rashkës. Por, ne jemi duke e pritur ende konfirmimin nëse është gjetur me të vërtetë vendndodhja e këtij lokacioni”, thuhet në kumtesën e EULEX-it.

Po ashtu, bëhet e ditur se EULEX-i i ka dy departamente kryesore që janë të angazhuara në kërkimin e lokacioneve të varrezave masive dhe në hetimin e rrethanave lidhur me to.
“Ato departamente janë: Zyra për Personat e Pagjetur dhe Mjekësi Ligjore (OMPF) dhe Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimeve të Luftës. Të dy këto organizata kanë bashkëpunuar me autoritetet serbe lidhur me vendndodhjen e këtij lokacioni”.

Ndër të tjera, EULEX-i ka shfaqur besimin se bashkëpunimi rajonal, jo vetëm me Serbinë, por edhe me palët tjera rajonale, është shumë i rëndësishëm në përpjekjet për zgjidhjen e këtyre çështjeve të cilat rëndojnë mbi një numër të madh të njerëzve nga të gjitha komunitetet e ndryshme.

“Ne nuk mund të japim më shumë informacione tani derisa të konfirmohet nëse në këtë lokacion ndodhet varreza masive, si dhe për t’i mbrojtur hetimet”, thuhet në kumtesën e EULEX-it.

Ndërkaq, zëdhënësi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Idriz Gashi ka thënë se ky institucion nuk ka qenë i informuar për gjetjen e kësaj varreze. Ai thotë se këtë e ka dëgjuar vetëm nga mediat, ndonëse ky Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq ka kryesuar takimet mes grupeve punuese për të pagjeturit nga Beogradi dhe Prishtina.
Viktimat e zbuluara në varrezën masive në Rashkë afër kufirit Kosovë-Serbi besohet se janë vrarë gjatë luftës së viteve 1998 - 1999 në Kosovë.

Edhe më tutje nuk dihet për fatin e 1 mijë e 662 personave dhe përfaqësues të Qeverisë kanë thënë se vazhdon të mbetet prioritet për Komisionin qeveritar dhe institucionet e Republikës së Kosovës, ndriçimi i fatit të personave të pagjetur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›