250 milionë euro kredi në ndihmë të bujqësisë, Guvernatori Sejko: Norma e interesit, maksimumi 3.5%

TIRANE, 7 shkurt/ATSH/ Programi i ri i financimit që do të nxisë kreditimin e bujqësisë si dhe biznesin e vogël dhe të mesëm, ka filluar të aplikohet nga bankat e nivelit të dytë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha sot në një intervistë televizive se janë 25 miliardë lekët e vënë në dispozicion nga Banka e Shqipërisë për kreditimin e bujqësisë. Sipas guvernatorit Gent Sejko ky program që është i përkohshëm do të ofrojë një kapitull të ri për fermerët të cilët deri dje e kishin tepër të vështirë për të marrë një kredi, kjo për shkak të mungesës së një kolaterali.“Programi ka nisur të aplikohet. Ne e kemi miratuar dhe kemi bërë marrëveshje me bankat e nivelit të dytë. Të gjitha bankat tregtare që operojnë në Republikën e Shqipërisë kanë krieteret e tyre të riskut të përcaktuara, pra programi është funksional që në këtë moment. Ne do ta mbikëqyrim, pasi marrëveshja që ne kemi me çdo bankë ka disa kritere strikte që likuiditetin që ne kemi dhënë mos të përdorët për sektorë të tjerë”, shprehet Sejko.
Afati i kredive do të variojë nga 3 deri në 5 vjet, ndërsa sasia e kredisë që mund të marrë një individ nuk do të kalojë masën e 25 milionë lekëve të reja. Për të ulur kostot e fondeve për këta huamarrës interesi për ta do të jetë shumë herë më i vogël se ai që ofrojnë bankat e nivelit të dytë.“Ne do t’i financojmë bankat e nivelit të dytë me një normë interes më të ulët, dhe bankat do të financojnë klientët e tyre që bien brenda këtij programi me një normë më të ulët interesi e cila do të jetë maksimumi 3.5%. Koha është që brenda harkut të një viti ne kemi parashikuar një fond prej 250 miliardë lekësh. Nëse programi do të jetë i suksesshëm ne mund ta rrisim likuiditetin dhe shumën e këtij programi”, tha ai.
Guvernatori Sejko tha se Banka e Shqipërisë ka kohë që po përgatit një program të tillë
“Konkretisht analiza për këtë program ka mbi 1 vit e gjysmë që është bërë dhe miratimi i këtij programi është bërë në fund të dhjetorit të kaluar dhe është rezultati i një pune më shumë se njëvjeçare. Nuk e shohim të lidhur vendimmarrjen tonë dhe faktorët e zhvillimit ekonomik dhe objektivat e Bankës së Shqipërisë me asnjë faktor që ka lidhje me zgjedhjet apo politikën”, shton Sejko.
Nëse qeveria shqiptare do të aplikojë garancinë sovranë, interesi për bujqit që duan të marrin kredi e të investojnë më pas në fermat e tyre nuk do të jetë më shumë se 2%.