28 Nëntori/ Zv.kryeministrja Gërvalla mesazh nga Vlora: Festojmë ekzistencën e shtetit shqiptar. Kosova dhe Shqipëria, dy shtete motra

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla ka qenë sot pjesë e ceremoninë zyrtare të mbajtur në Vlorë për Ditën e Pavarësisë.
Në një mesazh për mediat, Gërvalla teksa uron të gjithë qytetarët shqiptarë për 28 Nëntorit, deklaron se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete motra të cilat kanë arritur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm në çdo fushë.
Në këtë drejtim, ajo vuri theksin te intensifikimi i mëtejshëm i marrëdhënieve mes dy vendeve me qëllim që qytetarët shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë të gëzojnë prosperitet, zhvillim dhe integrim në BE.
“Kemi ardhur sot nga anë të ndryshme të Kosovës, por dhe si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës në vendin ku u shpall pavarësia e shtetit shqiptar dhe me dëshirën më të madhe që anekënd botës ku ndodhen shqiptarët ta kujtojmë pafundësisht këtë ditë dhe të festojmë ekzistencën e shtetit shqiptar. Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, si dy shtete motra, të cilat kanë arritur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm në çdo fushë, si të tilla duhet të intensifikojnë edhe më tej bashkëpunim e tyre me qëllim që qytetarët shqiptar në dy shtetet tona por edhe në mbarë viset shqiptare në Ballkan, të gëzojnë prosperitet, zhvillim dhe të gjithë së bashku t’i afrohemi BE, Kosova të anëtarësohet në NATO dhe së bashku me Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët në viset e tyre të shfrytëzojmë shekullin e XXI i cili përfundimisht do jetë shekulli i shqiptarëve”, deklaroi Gërvalla.
/rtsh.al/