Ish-presidenti Hashim Thaçi: Besoj që nëntorët e tjerë do t’i festojmë bashkërisht

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kritikoi sot Gjykatën Speciale gjatë seancës së dytë ndaj tij. Ai tha se mbajtja e seancës pikërisht më 28 nëntor, Ditën e Flamurit, është një befasi jo e mirë.
“Mendoj se caktimi i kësaj seance pikërisht sot do të duhej evituar. Ka festë kombëtare, shtetërore dhe familjare sepse është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare si çdo popull i lirë në botë, feston dhe kujton. Nuk më mbetet tjetër që t’i uroj shqiptarët që të festojnë të bashkuar, krenarë dhe me dinjitet. Besoj që nëntorët e tjerë do t’i festojmë bashkërisht”, deklaroi Thaçi.
Ish-presidenti theksoi se është për respektimin e shtetit ligjor, por kërkoi që në këtë gjykatë të mos ndodhin gjëra që nuk do të lejonin në shtetet e tyre përkatëse.
Ai shtoi se shqiptarët kanë historinë dhe vlerat kombëtare, të cilat duhet të respektohen. Gjyqtari i Dhomave të Specializuara, Christoph Gosnell, reagoi duke e falënderuar Thaçin për fjalët e tij, ndërsa sqaroi se seanca e sotme është caktuar pas konsultimeve me të gjitha palët dhe nuk pati kundërshtime për datën. Konferenca përgatitore u zhvillua ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit.
Qëllimi i saj është të përgatitet gjykimi për akuzat ndaj tyre për keqpërdorim të administrimit të drejtësisë. Seanca shënon nisjen e javës së konferencave në Gjykatën Speciale në Hagë.
/RTSH/