3 gra kandidate për deputete të PD kthehen në vendin e krimit !
Anila Cobani

Sot në kronikat e lajmeve u fanepsën tre femra spitullaqe,që i bënin sfondin elektoral kryetarit të tyre në moshë të thyer, Sali Berishës, në një inaugurim. Deri këtu ska asgjë për tu shënuar,se këto mitingjet me gërshërë dhe ruleta shiritash në dorë janë bërë të zakonshme në fushatën e tyre ! Pa iu ndarë atyre kombinimeve me blunë,e patjetër dy gishtat,e shoqëruan idhullin e tyre ne altarin e krimit,duke mos harruar gjithashtu,se këto zonja janë të punësuara me kohë të plotë në administratën shtetërore! Dhe çështë më skandalozja,pasi braktisin atë që ato paguhen nga taksapaguesit shqiptarë për tiu shërbyer,tunden e shkunden podiumeve ngritur brutalisht aty ku qytetarët presin shërbimet.
Rasti që po marr në konsideratë është ai që Kryeministri i vendit inauguroi në ambientet e Policisë Bashkiake të qytetit të Tiranës !
Pikërisht në këtë vend,para 2 vitesh,pas zgjedhjeve të 8 Majit 2011,ndodhi një ngjarje e shëmtuar që u ndoq nëpërmjet medieve nga opinioni publik. Florenc Hoxha,xhandari i Sali Berishës, një kriminel i njohur zgjedhjesh,përdori forcën për të na nxjerrë nga ambientet e institucionit ku ne punonim,mua dhe kolegen time Eva Dura. Proceset gjyqësore vazhdojnë në një kalvar sot e kësaj dite,dhe krimineli Florenc Hoxha bredh i lirë rrugëve të qytetit të Tiranës duke dëshmuar çdo ditë e më shumë moralin e kësaj qeverie,filozofinë dhe mentalitetin anadollak të njerëzve që e përfaqësojnë atë.
Duke lënë Florencin, i kthehem ngjarjes së ditës së sotme,ku tre femra,zonja spitullaqe,kandidate për deputete në listën e Partisë Demokratike për Tiranën,u kthyen pikërisht aty në vendin e krimit,dhe njëra prej tyre,nënkryetarja e kësaj Bashkie, Jorida Tabaku,duke shkelur të gjitha rregullat dhe ligjet për funksionimin e pushtetit lokal, nxori gjithë administratën e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, Bashkia Tiranë,si dhe efektivët e policisë bashkiake në rresht,për të dëgjuar broçkullat e kryeministrit. E ndërkohë,duke pritur nën diellin përvëlues,taksapaguesit e qytetit të Tiranës,psherëtinin nën hijen e hundës së kryeministrit.Jorida Tabaku është pikërisht personazhi që ende nuk ka kthyer përgjigje për atë deklaratë të shëmtuar që ka bërë ditën e ngjarjes duke na akuzuar ne për dhunimin e institucionit,por nga të gjitha faktet dhe rezultatet e Prokurorisë,doli që ishte një gënjeshtër e sajuar në kuzhinën e këtyre spitullaqeve,që s’bëjnë as përpjekjen më të vogël jo më për të qenë përfaqësuese të kauzës sonë për të drejtat dhe barazinë e grave,por bëhen masha të drejtpërdrejta dhe pjesëmarrëse në dhunën kundër tyre.Dhe ç’është më keq akoma,të një dhune të padëgjuar në Europë dhe në Botë,fiks brenda institucioneve shtetërore.Nuk ka dyshim që këto femra të mikluara nga politika më agresive e përfaqësuar nga kryekomandantja e tyre,Jozefina,nuk shohin as ku shkojnë,as ku vënë këmbën.Mjafton që lideri t’i vërë në rresht pas kurrizit antiplumb,dhe ato si manekina blu,s’bëjnë gjë tjetër veçse duartrokasin përmbi vendin e krimit.
Një këshillë e kisha sot për to…janë pak,shumë pak ditë,nga 23 Qershori,dhe ato kanë pak…fare pak ditë për t’i dhënë dinjitet vetes dhe familjeve të tyre.Veshjet e tyre blu le t’i mbajnë,dhe mirë bëjnë,sepse i bien më shumë në sy liderit,por të kujdesen mos të bien në sy me sjelljet e tyre denigruese dhe pa moral para qytetarëve të Tiranës,të cilët shohin dhe gjykojnë.Të cilët shohin dhe vendosin ! 23 Qershori do të jetë Rilindje dhe për to.Për të mos ia u hequr shijet e veshjeve blu,po për t’iu hequr errësirën që iu kaplon mendjen,për të vënë këmbën në podiumet e ngritura mbi vendet e krimit.