E Shtunë, 31 Tetor 2026

3 mars 2008 - Kuvendi mblidhet në seancë plenare

Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e hënë, më 3 mars 2008, ora 17:00, nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli dhe procedoi me këtë rend dite:

1. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri  60).
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 28.02.2008.
3. Miratimi i Kalendarit 3 javor të punimeve të Kuvendit (3 mars - 24 mars).
4. Projektligji Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9157, datë 4.12.2003, Për përgjimin e telekomunikimeve.
5. Projektligji Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9482, datë 3.04.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, të ndryshuar.
6. Projektvendimi Për shqyrtimin dhe miratimin me proçedurë të përshpejtuar të projektligjit Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime Operatori i sistemit të shpërndarjes.
7. Projektvendim Për zgjedhjen e një anëtari në Këshillin Drejtues të RTSH-së.
8. Projektvendim Për shkarkimin nga detyra të disa prej antarëve të Këshillit Drejtues të Entit Rregullator të Telekomunikacioneve.

Reforma zgjedhore dhe raporti i departamentit të shtetit amerikan për Shqipërinë, ishin çështjet kryesore të trajtuara nga deputetët gjatë diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës.

Pas miratimit të Kalendarit Trijaavor të Punimeve të Kuvendit për periudhën 3 mars - 24 mars, Kuvendi mori në shqyrtim projektligjin Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9157, datë 4.12.2003, Për përgjimin e telekomunikimeve.

Ndryshimet që propozohen në projektligjin e ri nuk prekin thelbin e ligjit ekzistues, por synojnë vetëm të pasqyrojnë ndryshimin që sjell realizimi i një projekti të financuar nga qeveria britanike për ndarjen e sistemit të përgjimeve në interes të Prokurorisë së Përgjithshme nga i SHISH-it. Ky projekt do të mundësojë funksionimin e hetimeve paraprake nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.
Pas diskutimeve që përfshinë përfaqësues të grupeve të ndryshme parlamentare, deputetët miratuan me shumicë votash projektligjin në fjalë.

Kuvendi vendosi të shtyjë për në seancat e ardhshme shqyrtimin dhe votimin e projektligjit Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9482, datë 3.04.2006, Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, të ndryshuar.

Seanca plenare vijoi punimet me shqyrtimin e projektvendimit Për shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime Operatori i sistemit të shpërndarjes.

Opozita shprehu qëndrimin kundër futjes në procedurë të përshpejtuar të projektligjit Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime Operatori i sistemit të shpërndarjes.
Përfaqësues të opozitës argumentuan se kjo mund të cenojë transparencën që duhet të shoqërojë shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në emër të mazhorancës nënvizoi se futja me procedurë të përshpejtuar nuk ka për qëllim të cenojë transparencën në lidhje me një projekligj kaq të rëndësishëm për shqiptarët.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli argumentoi se kërkesa për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar synon shmangien e një axhende pa afate të përcaktuara.

Kuvendi vendosi futjen në kalendar të këtij projektligji, duke i lënë 2 javë kohë komisioneve parlamentare për shqyrtimin e tij.
 
Seanca plenare mori në shqyrtim projektvendimin Për shkarkimin nga detyra të disa prej antarëve të Këshillit Drejtues të Entit Rregullator të Telekomunikacioneve.

Sipas përfaqësuesve të opozitës, disa nga anëtarët e ERT-së nuk po shkarkohen sepse nuk kanë përmbushur detyrimet, por thjesht për shkak të vonesave.
Opozita shprehu qëndrimin e saj kundër procedurës së shkarkimit dhe u shpreh se ERT, po përdoret si kokë turku për të fshehur korrupsionin.

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, vuri në dukje se Shqipëria ka hasur vështirësi në zbatimin koherent të legjislacionit ekzistues dhe aplikimin e tarifave më të ulëta. Ministri argumentoi se ERT është përgjejëse për situatën e papranueshme për konsumatorin shqiptar në tregun e telekomunikacioneve.

Nga ana e tij, z. Patozi u shpreh se ky projektvendim synon pikë së pari të shënojë një stad të ri në marrëdhëniet midis Parlamentit dhe institucioneve rregullatore si ERT. Z. Patozi theksoi se kjo ndërhyrje jo vetëm synon përmirësimin e gjendjes në tregun e telekomunikimeve, por mbi të gjitha jep mesazhin e rëndësishëm se ata që marrin mandat nga Parlamenti janë të detyruar të përmbushin detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre.
Kuvendi miratoi me shumicë votash projektvendimin për shkarkimin e kreut të ERT-së dhe të tre anëtarëve.
 
Në vijim, Kuvendi miratoi kandidaturën e z. Ilir Nikolli si anëtar në Këshillin Drejtues të RTSH-së.

Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 21:25, ndërkohë që Kuvendi do të mblidhet sërish në seancë plenare ditën e enjte, më 6 mars 2008, ora 10:00.

Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit

Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al;
pressoffice@parlament.al; info@parlament.al. 
 
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›