5 mars 2008 - Për 8 Mars, Kuvendi i Shqipërisë hap dyert për të gjitha gratë.
Në ditën ndërkombëtare të grave, 8 Mars, Kuvendi i Shqipërisë, do të hapë dyert për të gjitha gratë.
Me inisiativë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në 8 Mars, Parlamenti Shqiptar do të jetë i hapur, për të mirëpritur gra të moshave dhe profesioneve të ndryshme.
Me këtë rast, Kryetarja Topalli do të zhvillojë takime, gjatë gjithë ditës, në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, për të biseduar dhe shkëmbyer ide me gratë, në mbështetje të zhvillimit, pjesëmarrjes dhe promovimit të tyre, në shoqëri.
Në takimin me gratë e Vlorës, Kryetarja Topalli dha këtë mesazh për ditën e 8 Marsit:
"Në 8 Mars zakonisht jemi mësuar të flitet për gra, të festohet, apo të protestohet.
Unë nuk mendoj se çështja e grave, duhet lënë vetëm në një ditë, vetëm në 8 Mars.
Unë në 8 Mars nuk mund të organizoj as festë, as protestë, as ndonjë takim të veçantë: Unë kam vendosur bashkë me miket dhe koleget e mia, të bëj vetëm një gjest : Të hap derën e Parlamentit dhe të ftoj të gjitha gratë, të vinë atje .
Kjo nuk është ftesë për një vizitë në Parlament, është hapja e portës, që secila prej grave, që e ndjen veten të aftë se mund ti hyjë garës në politikë, e ka derën e Parlamenti të hapur dhe vendin e Kryetares se Kuvendit pas dy vjetësh, të gatshëm për garë".