3 zyrtarë të policisë rrugore në pranga- SPAK: Kërkuan 2 mijë euro ryshfet për të shmangur hetimet pas një aksidenti

SPAK, përmes një njoftimi zyrtar, ka dhënë detaje për arrestimin e tre zyrtarëve të lartë të Policisë Rrugore të Tiranës, të cilët akuzohen për korrupsion pasive pas një aksidenti të ndodhur në datën 16 prill.
Në pranga kanë përfunduar drejtuesi i Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, shefi i sektorit të aksidenteve, Sokol Novaku, si dhe oficeri i Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku. Të tre janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme më 18 prill dhe ndaj tyre rëndon akuza për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve të kryera nga Byroja Kombëtare e Hetimit, zyrtarët e policisë dyshohet se pas një aksidenti rrugor në kryeqytet, i kanë kërkuar 2 mijë euro ryshfet familjarëve të një prej drejtuesve të mjetit, Anisa Vrioni, për të mos e arrestuar atë dhe për të shmangur çdo hetim penal ndaj saj. Paratë janë siguruar brenda një kohe të shkurtër nga bashkëshorti i saj, Ergest Vrioni, i cili tashmë është nën hetim për korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
SPAK sqaron se shuma është dorëzuar personalisht njërit prej punonjësve të policisë rrugore dhe ky fakt është provuar gjatë hetimit. Për ekzekutimin e urdhrit të ndalimit është angazhuar Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të këtij procedimi penal, janë sekuestruar edhe shuma të konsiderueshme parash, konkretisht rreth 2500000 lekë (dy milionë e pesëqind mijë lekë) dhe 26 mijë euro, që dyshohet të jenë të lidhura me veprimtari korruptive.
Gazetare: Lusi Përgjegji