E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përdorimi i VPN-ve, shumë raste me përmbajtje të dëmshme dalin jashtë kontrollit

Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë, Alo 116 raporton një trend të njëjtë denoncimesh që vijnë nga adoleshentët me afro 1000 raste në muaj.

Drejtoresha Belioza Çoku sqaron se rastet më të shpeshta i përkasin bulizmit.

“Numri i telefonatave ruan trendin mbi 1000. Vetëm në shkurt kemi pasur mbi 955 telefonata. Raportojnë problematikat e njeri tjetrit. Raste bulizmi. Në shkollë kanë probleme me vetën, mes marrëdhënieve me njeri tjetrit”, tha Çoku, drejtoreshë e Alo 116.

Përdorimi i VPN-ve, si forma alternative për të hyrë në TIK-TOK, pas mbylljes së këtij të fundit ka ndikuar në menaxhimin e rasteve me përmbajtje të dëmshme, duke çuar në dobësim të fuqisë së kontrollit.

“Të rinjtë, zbuluam që përdorin SNAP-in shumë. Po ashtu po përdorin VPN-t. Me hyrjen e VPN-ve, ne nuk kemi marrëveshje dhe nuk kemi si ti mbyllim të gjitha rastet e raportimeve që raportojnë që kanë bulizëm brenda, por edhe që rrezikojnë jetën e të miturve. Po na e vështirëson shumë punën ndjekja e raportimeve të fëmijëve sidomos kur rrezikohet jeta e tyre. Fëmija nuk duhet të dalë komunitet-familje-shkollë. Problemi është që ky trekëndësh është me katete të ndara edhe fëmijët gjejnë korridor për të manipuluar të gjithë sistemin“, shprehu shqetësimin drejtoresha e Alo 116.

Mbyllja e TikTok mesa duket nuk e frenoi plotësisht aksesueshërinë në këtë platformë, ndërsa gjetja e një tjetër mënyre ekspozimi në rrjetet sociale çoi në lulëzimin e një tjetër tregu, atij të VPN-ve.

Gazetare: Elda Hasanbelli 

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›