E Diel, 1 Nëntor 2026

30 e mjekeve ushtrojne profesionin ne menyre arbitrare

Afro 30 përqind e mjekëve ushtrojnë profesionin pa licensë dhe në mënyrë arbitrare. Ky shqetësim është ngritur nga Institucioni i Urdhërit të Mjekut dhe kostoja sipas presidentit të kësaj strukture shëndetësore, Din Abazaj lidhet drëjtpërdrejtë me pacientin.

"Këta mjekë që ushtrojnë profesionin në mënyrë të palicensuar pas daljes së këtyre akteve ligjore dhe nënligjore, janë në kundërshtim me ligjin dhe nqs kryejnë një gabim mjekësor dhe paditen për këtë, në rradhë të parë ndëshkohen sepse kanë ushtruar profesion në kundërshtim me ligjin"-thotë Din Abazaj, President i Urdhërit të Mjekut.

E njëjta situatë paraqitet dhe në sektorin dentar, pasi dhe shumë stomatologë punojnë pa licensë. Problematika është më e ndjeshme në qendrat e mëdha spitalore të kryeqyetit dhe Abazaj akuzon drejtpërdrejtë drejtuesit e spitaleve, që pranojnë mjekët pa lejen e ushtrimit të profesionit. Ndërkohë, në sektorin privat nuk ka probleme të tilla.

"Ky është kryesisht për faj të drejtuesve të institucioneve që i pranojnë në institucione dhe nuk i detyrojnë të paijsen me licensë. Në Tiranë kanë marrë leje vetëm mjekët që kalojnë në klinika private, sepse ata nuk i pranojnë pa licensë"- thotë Abazaj.

Urdhëri i mjekut është institucioni, që pajis me licensë mjekët. Ndaj edhe pse afati i parashikuar për të përfunduar ky proces ka qenë tetori i vitit të shkuar, Abazaj apelon që të gjithë bluzat e bardha të mos e zhvlerësojnë licensimin dhe marrin këtë dokument ligjor.  

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›