E Diel, 1 Nëntor 2026

300 milionë euro për refugjatët e vendeve të ish-Jugosllavisë

300 milionë euro për afro 74 mijë refugjatë në disa nga vendet që dolën nga ish Jugosllavia
u premtuan sot në një konferencë globale të donatorëve në Sarajevë, duke mundësuar që ndërtimi i vendbaniemeve të fillojë në vjeshtë.

“Gjatë konferencës së donatorëve ne morëm konfirmimin për më tepër se 300 milionë euro dhe ne jemi të kënaqur me këtë”, tha për gazetarët ministri i refugjatëve i Bosnjë Hercegovinës, Damir Lubiç.

Ky program i ndërtimit të vendbanimeve, është mbështetur nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, OSBE dhe UNHCR.

Donatori më i madh do të jetë BE, që ka premtuar më se 230 milionë euro për projektin pesëvjeçar.

Qeveritë e katër shteteve ballkanike, Bosnjë Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia, së bashku do të kontribuojnë me 83 milionë euro.

Shefi i UNHCR-së, Antonio Guterres, tha se “kjo ditë është për tu festuar, pasi jemi përkushtuar për ta shkruar kaptinën e fundit të tragjedisë së zhvendosjes në Ballkanin Perëndimor, gjatë viteve të 90-ta”.

Agjencia AFP raporton se në luftërat në Kroaci, Bosnjë Hercegovinë dhe Kosovë, janë vrarë më se 130 mijë vetë, ndërsa më se tre milionë njerëz ishin detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Afro 200 mijë njerëz në rajon ende janë refugjatë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›