Situata në veri të Kosovës, Kurti takohet me Zbogar
Me kërkesë të lëvizjes Vetëvendosje të martën është mbajtur një takim ndërmjet përfaqësuesve të kësaj lëvizje dhe drejtuesit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar. Me këtë rast, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka shprehur pakënaqësinë me reagimin e butë dhe joadekuat të Zbogarit për vrasjen e Selver Haradinaj në veri të Mitrovicës.
Në njoftimin e Vetëvendosjes bëhet e ditur se Kurti ka ngritur shqetësimin lidhur me situatën në Mitrovicë, në mënyrë të vecantë pas vrasjes së Selver Haradinaj përmes aktit terrorist dhe sulmeve të vazhdueshme të Serbisë atje.
Zbogar thuhet se ka shprehur shqetësimet e tij për çështjen e Mitrovicës, duke pyetur për mundësitë që sipas Lëvizjes Vetëvendosje do të ndihmonin në ndryshimin e gjendjes aktuale në Mitrovicë.
Në këtë aspekt, Kurti tha se luftimi i strukturave ilegale shtetërore të Serbisë do të duhej të bëhej paralelisht me zhvillimin e një plani për të luftuar papunësinë në Mitrovicë.
Po ashtu në këtë takim është folur edhe për miratimin e Kodit të ri Penal, sidomos për dy nene që cenojnë në thelb lirinë e medias, nenin 37 dhe 38.
Puhie Demaku nga Vetëvendosje tha se është e dhimbshme se si qeveria po synon të disiplinojë mediat përmes këtyre dy neneve, ku tani përveç kërcënimeve fizike, ndikimit në politikat editoriale, dhe trysnisë politike që janë identifikuar si probleme edhe në Raport të Progresit, gazetarët mund të përfundojnë edhe në burg.
“Nëse po synojmë të përqafojmë vlerat evropiane, kjo mënyrë assesi nuk përkon me frymën e BE-së”, tha Demaku.