32 studentë europianë i bashkohen Kolegjit të Europës në Tiranë

U mirëpritën dje në Kampusin e Kolegjit të Europës në Tiranë, 32 studentët nga 21 vende të ndryshme të Europës, të cilët do të studiojnë në kryeqytetin shqiptar gjatë vitit akademik 2024–25.
Në ceremoninë e përurimit të Kampusit të Kolegjit, me seli në godinën “Liria” pranë Qytetit Studenti, mori pjesë Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manasterliu.
Në fjalën e rastit, kryebashkiaku Veliaj dha lajmin se, Bashkia e Tiranës, përveç kontributit në krijimin e kushteve të mira për studentët, ka kontribuuar me tre bursa për tre të rinj ekselentë shqiptarë.
“Shekullit të 21-të gjithnjë e më shumë po i referohemi si shekulli i qyteteve. Pra, njerëzit thonë ‘Kolegji i Tiranës’, jo më ‘Kolegji në Republikën e Shqipërisë’. Ne i lidhim këto ngjarje me qytetet, më shumë se sa me shtetet. Prandaj, edhe vendosëm që, përveç ndihmës në krijimin e infrastrukturës së kolegjit, të kontribuojmë edhe me tre bursa,” u shpreh ai.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato tha se Shqipëria është pjesë e Europës.
“Nuk është vetëm një realitet i ri akademik, që ndodh në Tiranë, por ka të bëjë me sjelljen e Bashkimit Europian këtu në Shqipëri dhe këtu në rajon. Ne përdorim një slogan në Delegacionin Europian: ‘Europa është këtu’. Në fakt është i gabuar sepse duhet të jetë: ‘Bashkimi Europian është këtu’, pasi Europa është tashmë këtu, sepse Shqipëria është Europë,” tha Gonzato.
32 studentët që janë pjesë e Kolegjit të Europës, i cili do të çelë dyert për herë të parë në Tiranë, do të ndjekin studimet në fushën e Transformimeve Europiane dhe Studimet e Integrimit (ETI).
/rtsh.al/