E Martë, 3 Nëntor 2026

Shefat e CIA, MI6 me thirrje të përbashkët për armëpushim në Gazë

Shërbimet amerikane dhe britanike të kundërzbulimit po “punojnë pa pushim” për të arritur armëpushimin në Gazë.

Dy drejtuesit e agjencive të inteligjencës, Uilliam Bërns (o.William Burns) i CIA-s dhe Riçard Mur (o.Richard Moore) i MI6-ës, dolën me një deklaratë të rrallë duke treguar se dy shërbimet “shfrytëzuam kanalet tona të kundërzbulimit për të shtyrë palët drejt vetëpërmbajtjes dhe mospërshkallëzimit të mëtejshëm”.

Deklarata e tyre e përbashkët u publikua si opinion në gazetën “Financial Times”. Mesazhi ishte që armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit “do t’i jepte fund vuajtjes dhe humbjeve tronditëse mes civilëve palestinezë, dhe do të kthente në shtëpi pengjet pas izolimit të padurueshëm 11-mujor”.

Z. Bërns është përfshirë personalisht në përpjekjet për të negociuar fundin e luftës, pasi udhëtoi drejt Egjiptit në gusht për të diskutuar marrëveshjen për lirimin e pengjeve dhe ndaljen e përkohshme të konfliktit.

Ndërsa palët nuk kanë ende një marrëveshje, zyrtarët amerikanë thonë se ujdia mund të arrihet së afërmi dhe sipas presidentit Xho Bajden (o. Joe Biden) tani mbeten “edhe pak çështje” për t’u zgjidhur. 

Dy drejtuesit e CIA-s dhe MI6-ës po ashtu theksuan forcën e marrëdhënies transatlantike përballë “valës së kërcënimeve të paprecedenta”, siç janë ato që vijnë nga Rusia, nga Kina gjithnjë e më e fuqishme dhe kërcënimet nga terrorizmi ndërkombëtar – të gjitha këto të ndërlikuara më tej nga zhvillimet teknologjike. /AP

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›