3.3 miliardë lekë për Prokurorinë Përgjithshme në 2025-ën, Jano: Fond shtesë për orët jashtë orarit

TIRANË, 8 nëntor /ATSH/ Thoma Jano, zëvendësprokuror i Prokurorisë së Përgjithshme në Komisionin e Ligjeve pasqyroi kërkesat e këtij institucioni në seancën dëgjimore për “Shqyrtimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2025”.
Jano tha se është bërë planifikimi afatmesëm për kërkesat buxhetore 2025-2027, ndërsa shtoi se për vitin 2025, nuk ka pasur shtim të punonjësve.
“Fondi i pagave është brenda tavanit të miratuar nga Ministria e Financave, llogaritjet janë bërë në bazë të numrit faktik. Fondi për shpenzime personeli është i mjaftueshëm”- tha Jano.
Jano tha se projektbuxheti nuk përcakton fondin për orët shtesë të punës së prokurorëve, që është mbi 200 orë në vit.
Jano tha gjithashtu se edhe për shpenzimet operative, fondet janë të pamjaftueshme.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm kërkoi po ashtu që nga ana e bashkive t’u vihen në dispozicion sheshe për ndërtimin e prokurorisë, pasi situata është emergjente.
Deputeti Saimir Hasalla në cilësinë e relatorit, tha se për Prokurorinë e Përgjithshme është parashikuar një buxhet 3.3 miliardë lekë. Në total tha Hasalla në Prokurorinë e Përgjithshme janë 962 punonjës.
“Prokuroria e Përgjithshme ka paraqitur kërkesë për ndryshime buxhetore në vlerë 490 mln lekë. 185 milionë lekë shtesë në fondin e pagave për pagesat e prokurorëve për punën e kryer jashtë orarit”- tha Hasalla.
Ndërkohë deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, pyeti zëvendësprokurorin në lidhje me sektorin e “Dekriminalizimit”. Sipas Bardhit grupi i PD-së ka paraqitur kërkesa për verifikim në Prokurorinë e Përgjithshme, por nuk ka marrë përgjigje.
“Sektori i “Dekriminalizimit” në Drejtorinë e Koordinimit Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme a vazhdon funksionon a është gjallë, që nga momenti që është ndryshuar Prokuroria e Përgjithshme ne si grup parlamentar kemi paraqitur disa kërkesa për verifikim në Prokurorinë e Përgjithshme në përmbushje të detyrave të Prokurorisë së Përgjithshme për të pastruar jetën publike nga individë me rekorde kriminalë. Nuk ka ndodhur kurrë që në një periudhë 4-5 vite ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Kemi çuar ne Mark Babanin dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk ishte në gjendje, nuk na ka sjellë ende përgjigje. Kemi bërë kërkesë për të verifikuar kryetarin e Malësisë së Madhe dhe ne nuk marrim përgjigje”- tha Bardhi.
Sipas Bardhi kjo është heqje dorë me vetëdije.
“Edhe Kuvendi i cakton Prokurorisë së Përgjithshme afate maksimale brenda të cilës duhet të veprojë Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka shkelur afatet. A mund të na thoni kur do të kemi përgjigje për këtë që keni përmbushje ligjore? Nuk kemi asnjë përgjigje asnjë kërkesë për verifikim. Ka sjellë dy apo tre përgjigje, ndërsa zotëria që është Prokuror i Përgjithshme i zgjedhur nga Kuvendi sa ç’është në atë detyrë nuk ka sjellë asnjë përgjigje. Për çfarë i marrin lekët nga buxheti i shtetit”- tha Bardhi.
Zëvendësprokurori Jano iu përgjigj duke theksuar se ky sektor ka shumë ngarkesë, ndërsa shtoi se do ta bëjë problem.
“Sektori i Dekriminalizimit në dijeninë time është me një ngarkesë jo të vogël, për të bërë një verifikim të një subjekti duhen adresuar kërkesat e disa institucioneve. Është një cikël i mbyllur nën drejtorinë e Koordinimit ndërinstitucionale. Drejtori i Koordinimit është ai që bën shpërndarjen sa i përket verifikimit të subjekte. Do ta bëj problem, do ta njoftoj dhe PP dhe do të shoh rastet për aq sa deklaruat, do u kthej përgjigje”- tha Jano.