35 vite në kultivimin e vreshtarisë- Zef Mesuli, nga tradita familjare tek zhvillimi modern i fermës

35 vite më parë, Zef Mesuli nga fshati Nënshat i Vaut Dejës nisi të merrej me vreshtari. Ai tregon se këtë zanat fillimisht e trashëgoi nga babai i tij, e sot falë edhe subvencioneve e ka kthyer në mënyrë jetese duke zgjeruar vreshtat në disa dynym.
“Unë merrem me këtë punë pas babait, qëndroja pas tij dhe mora zanatin. E kemi filluar me shesh të bardhë, me vernac ndërsa kallmetin e kërkon tregu më shumë”, u shpreh Mesuli.
Vjelja e parë ka mbaruar, tashmë ai pret që të nisë vjeljen e rrushit të mëvonshëm. Këtë vit thotë Mesuli, prodhimi ka qenë i kënaqshëm. Një pjesë të prodhimit e shet në kantina ndërsa pjesën e mbetur e bën raki.
“Vjeljen e kemi mbaruar, edhe pse kishim një verë shumë të nxehtë, rrushi u bë shumë cilësor“, tha ai.
Nga familja e tij thotë Zefi jam fermeri I fundit që merrem me vreshtari. Fermeri ka një apel edhe për të rinjtë.
“U bëj thirrje që me eksperiencën që kanë bërë të kthehen në vendin e tyre”, u shpreh Zef Mesuli.
Zona e Nënshatit, e njohur për vreshtarinë dhe kultivimin e ullinjve, përfaqëson një potencial të rëndësishëm bujqësor dhe ekonomik, i cili vitet e fundit është mbështetur si pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm rural.
Gazetar: M. Gjoni
/rtsh.al/