E Diel, 1 Nëntor 2026

368 zjarre gjatë verës në Shkodër-Ulje e rasteve në zonat urbane, sfidë mbeten zonat rurale

Mbi 300 raste zjarresh janë regjistruar në Shkodër gjatë muajve të verës, por krahasuar me një vit më parë, në zonat urbane raportohet një ulje e numrit të vatrave. Sfida kryesore për autoritetet vijojnë të mbeten zonat rurale, ku terreni i vështirë dhe sipërfaqet pyjore e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen.

Një prej rasteve më të rënda ka qenë zjarri në malin e Tërbunit në Pukë, ku flakët përshkuan rreth 400 hektarë sipërfaqe pyjore. Terreni i vështirë dhe përhapja e zjarrit e kthyen këtë vatër në një prej sfidave kryesore të sezonit.

Një tjetër situatë problematike u regjistrua në Bardhaj të Shkodrës, ku zjarri preku tre njësi administrative. Edhe në këtë rast, procesi i vlerësimit të dëmeve nuk ka përfunduar ende, ndaj bilanci i plotë pritet të përcaktohet pas përfundimit të verifikimeve në terren.

Nga 1 qershori deri më 15 shtator, në të gjithë qarkun Shkodër janë evidentuar 368 raste zjarri. Pavarësisht uljes së rasteve në zonat urbane, autoritetet e konsiderojnë menaxhimin e zjarreve në zonat rurale dhe pyjore një nga sfidat kryesore të sezonit të verës.

Gazetare: M. Gjoni      

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›