E Shtunë, 31 Tetor 2026

37 ish-zyrtarë të PS kundër rikandidimit të Ramës

Një grup ish-zyrtarësh të lartë të PS i janë drejtuar dje Kongresit të PS me një letër të hapur, ku kërkojnë ndërprerjen e mandatit të z. Rama dhe moslejimin e rikandidimit të tij në këtë post.
37 ish-zyrtarë të kësaj partie, ish-deputetë dhe ish-ministra, i drejtohen Kongresit duke i kërkuar zbatimin rigoroz dhe pa kushte të statutit të PS që parashikon ndërprerjen automatikisht të mandatit të kryetarit në detyrë dhe mos-rikandidimin e tij si dhe hapjen e garës për zgjedhjen e kryetarit të ri, sipas përcaktimeve statutore, e të paraprihen nga analizat përkatëse politike dhe organizative në të gjitha nivelet elektorale të PS dhe në forumet drejtuese të saj.
Në listën e autorëve të kësaj letre janë përfshirë disa ish-ministra si Viktor Doda, Agron Duka e Zef Preçi, si dhe disa ish-deputetë si Bardhyl Agasi, Rajmonda Stefa, Flamur Hoxha, Flamur Rogu etj. Në listë përfshiheshin disa ish-prefektë në kohën e qeverisjes së PS, ish-kryetarë të kësaj partie në komuna e bashki. Ata vlerësojnë se vazhdimi i drejtimit të PS nga ana e Ramës mund të çojë në eksperimente të tjera të dhimbshme për popullin e majtë, në dështime politike të njëpasnjëshme dhe në humbje të reja elektorale.
Në letër theksohet gjithashtu se kryetari në detyrë i PS është pjesë e historisë politike të kësaj partie dhe çfarëdo përfshirje e tij e drejtpërdrejtë në zhvillimet e ardhshme politike dhe institucionale të partisë rrezikon përçarje të reja në gjirin e saj.
"Vazhdimi i drejtimit të PS nga Rama do të thellonte më tej frymën autoritariste, do të lehtësonte ndërhyrjet e grupeve të interesit në vendimmarrjet më të rëndësishme të kësaj force politike etj. Humbja e 28 qershorit për PS dëshmoi jo vetëm mungesën e vizionit strategjik të kryetarit Rama në qeverisjen e PS, por edhe mungesën e vizionit politik të tij në ndërtimin e aleancave zgjedhore, duke u vetëshpallur misionar i fitores, i vetëm, pa lidership, pa program dhe pa ekip", - thuhet ndër të tjera në letrën e ish-zyrtarëve socialistë drejtuar Kongresit të PS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›