E Hënë, 2 Nëntor 2026

“3D” në RTSH- Përplasje për protestën e UÇK-së. Spahiu: Mitingu kundër Gjykatës Speciale vështirëson pozicionin e të akuzuarve. Nurellari: Gjykata e Hagës po shkel Konventën Evropiane

Protesta mbarëkombëtare “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së ka qenë në qendër të debatit në emisionin “3D” në RTSH, të moderuar nga Alban Dudushi. Gjatë emisionit u shfaq një përplasje e fortë mes analistit politik Nexhemedin Spahiu dhe studiuesit e kolumnistit Adri Nurellari lidhur me qëllimin dhe ndikimin e tubimit.

Politologu Nexhemedin Spahiu shprehu habinë e tij për kuptimin e mbajtjes së një mitingu kundër një institucioni si Gjykata Speciale, të cilën ai e konsideroi si institucion të Kosovës.

“Është si të bëhet në Kosovë një miting kundër SPAK për lirimin e Metës. Gjykata Speciale është institucion i Kosovës,” deklaroi Spahiu.

Sipas tij, ky protagonizëm i drejtpërdrejtë shkon në drejtim të kundërt me interesat e atyre që ndodhen në Hagë, duke e vështirësuar pozitën e tyre. Spahiu sugjeroi se protesta shërben për “interesa politike” dhe nënvizoi se Qeveria Kurti ka paguar 30 milionë euro për avokatët më të mirë, duke shtuar se edhe dëshmitarët amerikanë kanë thënë se të akuzuarit nuk kanë qenë liderë të UÇK-së, pasi kjo e fundit ishte një lëvizje pa sistem të centralizuar drejtimi.

Kundërpërgjigjja e Nurellarit: Shkelje e të drejtave

Në kundërshtim të fortë, Adri Nurellari deklaroi se paralelizmi me SPAK nuk qëndron, pasi Gjykata e Hagës është e pavarur dhe nuk i jep llogari askund. Nurellari akuzoi Gjykatën Speciale se “ka manifestuar shkelje bazike të standardeve,” duke shkelur të drejtat e njeriut dhe Konventën Evropiane.

“Kjo gjykatë nuk krahasohet me SPAK. Kemi Dumanin që raporton në Kuvend, por ata në Hagë nuk referojnë askund. Është shndërruar në një ishull dhe vepron tërësisht e mbyllur, madje as flamurin e Kosovës nuk e mban,” theksoi studiuesi.

Ai shtoi se Gjykata ka marrë kompetenca legjislative, duke vënë në dyshim bazën ligjore të akuzës për “sipërmarrje të përbashkët kriminale,” e cila sipas tij nuk gjendet as në legjislacionin e Serbisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›