E Martë, 3 Nëntor 2026

“3D” në RTSH, Çollaku: Diaspora duhet të jetë kombëtare, jo shtetërore. Formati duhet të jetë Shqipëri-Kosovë!

Deputeti i PD Kreshnik Çollaku ka folur me tone kritike ndaj Samitit të Tretë të Diasporës në emisionin 3D të Alban Dudushit, ku tema qendrore ishte “Shqiptarët- rreziku i luftës në rajon”. “Ky ishte një shou i madh i propagandës së Edi Ramës” tha zoti Çollaku. 

Në vlerësimin e tij samiti ishte konceptuar gabim. “Diaspora shqiptare nëpër botë nuk është një diasporë shtetërore, është një diasporë kombëtare” tha deputeti i PD. “Unë mendoj se një samit diaspore i konceptuar dhe administruar nga një prej shteteve shqiptare është përjashtues” tha zoti Çollaku. 

Sipas tij “formati i duhur që duhet të trajtohej diaspora shqiptare duhet të ishte një format i përbashkët, qeveri e Kosovës, qeveri e Shqipërisë dhe përfaqësues të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi”.

Deputeti i opozitës Kreshnik Çollaku kritikoi kryeministrin Rama se në Samitin e Diasporës selektoi pjesëmarrësit. Ai tha se kishte dokumenta sipas të cilave përfaqësuesit e ftuar ishin mbështetës të PS nëpër diasporë. “Kjo e bën një ngjarje të padenjë samitin” tha ai.

Duke kujtuar se është nënkryetar i komisionit parlamentar për diasporën, zoti Çollaku tha se vetë ai nuk kishte marrë ftesë nga organizatorët. “Diaspora është e të gjithëve, është tej partive” tha ai, ndërsa e cilësoi si primitivizëm sjelljen e organizatorëve të samitit. “Shumë  grupe të diasporës që kanë konstatuar frymën selektive, kanë refuzuar pjesmarrjen” tha zoti Çollaku.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›