4 banesa shkrumbohen nga zjarri në Shkodër, 6 familje mbesin në qiell të hapur
Ka mjaftuar një shkëndijë elektrike që për 30 minuta të shkrumbojë totalisht 4 banesa dhe lerë në qiell të hapur 6 familje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Dergut” në qytetin e Shkodrës gjatë mbrëmjes të së mërkurës pranë banesës së familjes Behri dhe Dergjini.
Sipas dëshmive të marra në vendngjarje, brenda pak minutash vatra e zjarrit është përhapur edhe pranë banesave të tjera të cilat ndodheshin ngjitur me shtëpinë që po digjej dhe në harkun kohor të 30 minutave 4 banesat janë shkrumbuar totalisht.
Fatmirësisht nga zjarri nuk ka patur të lënduar pasi banorët janë larguar menjëherë, por dëmet materiale kanë qënë të pallogaritshme.
Të parët që kanë konstatuar zjarrin kanë qënë vetë banorët të cilët menjëherë kanë dalë nga banesat për t’i shpëtuar zjarrit, ndërsa flakët kanë përfshirë gjithë orenditë shtëpiake deri në djegien e plotë të tyre.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të zjarrëfikësve dhe të policisë të cilat kanë luftuar për shuarjen e flakëve dhe lokalizimin e tyre.
Zjarri ka qënë mjaft i fuqishëm ndërsa pranë vatrës së zjarrit kanë qënë vetëm 3 mjete zjarrëfikëse të qytetit të Shkodres dhe një tjetër e ardhur nga qyteti i Koplikut. Nga ana tjetër forcat e policisë kanë evakuar 30 pjesëtarët e banesave të djegura ndëra më pas kanë larguar edhe afro 50 banorë të shpive përreth nga frika e shpërthimit të bombulave të gazit të cilat ndodheshin brenda shtëpive te djegura.
Në vendngjarje ka shkuar edhe grupi hetimor i cili ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.