4 vitet e Kosovës
Visar Ymeri*
Pobëhen 4 vite që kur është shpallur pavarësia e Kosovës. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë ne e kemi vlerësuar aktin e shpalljes së Pavarësisë si një hap para dhe 3 hapa prapa. Atëbotë patëm thënë se Shpallja e Pavarësisë dhe njohjet që pasuan janë një hap para. Kosova për herë të parë u njoh si vend i mëvetshëm nga shtete të rëndësishme të botës. Natyrisht se vendimi final i GjND-së për të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe sovran e fuqizon këtë hap para.
Por i bëmë edhe disa hapa prapa. Teksti i deklaratës së pavarësisë i shpallur në Kuvend më 17 shkurt 2008 përmban disa pika jashtëzakonisht problematike jehonën e të cilave po e jetojmë edhe sot dhe do ta jetojmë derisa të mos e ndryshojmë këtë kurs politik, dhe të cilat e bëjnë atë si një deklaratë shumë të përçudnuar të pavarësisë. Deklaratat e pavarësisë të shteteve anëtare të bashkësisë së shteteve të botës sot janë shprehje e vullnetit politik të popullit për liri dhe barazi kolektive me të tjerët dhe karshi të tjerëve. Deklarata e pavarësisë shpreh gatishmërinë politike të popullit për ta përbashkuar dhe organizuar fuqinë kolektive në një shtet me territor, rregullim institucional e politik të caktuar, përmes të cilave ai e realizon lirinë dhe të drejtat e barabarta. Shprehja e vullnetit politik për të qenë pjesëtarë i kombeve dhe shteteve të lira nënkupton gatishmërinë politike për të marrë përsipër të gjitha obligimet reciproke që rrjedhin nga ky anëtarësim. Shprehja eksplicite e vullnetit politik për të qenë i lirë, e ka nënkuptimin implicit për gatishmërinë për ti marrë përgjegjësit që rrjedhin nga kjo. Ndërkohë që Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e ka këtë parim të prapakthyer. Aty shumë më shumë flitet për gatishmërinë për të marrë obligime se sa për vullnetin për të qenë i lirë.
Flitet shumë për obligimet pikërisht për shkak se obligimet për Kosovën nuk janë të zakonshmet, dhe nuk janë reciproke. Obligimi kryesor në deklaratën e pavarësisë është Propozimi Gjithëpërfshirës i Planit të Ahtisaarit i cili drejtpërsëdrejti e cungon të drejtën dhe mundësinë që lirshëm ta caktojmë modelin e shtetit të cilin duam ta ndërtojmë. Për shkak se modeli na paracaktohet aty. Pra nuk e përcaktojmë ne me Deklaratën e Pavarësisë dhe sipas vullnetit e interesave tona kolektive, por na paracaktohet nga një plan i cili rrjedh nga negociatat dhe koncesionet ndaj Serbisë. Një shtet të cilin na e dizenjojnë të tjerët, mund të jetë shtet. Por nuk mund të jetë shteti ynë.
Me Deklaratën e shpalljes së pavarësisë institucionet e Kosovës kanë kërkuar instalimin e misioneve ndërkombëtare, të emëruara nga jashtë, me pushtet ekzekutiv të veprojnë brenda Kosovës. Vet akti i shpalljes së pavarësisë ka ftuar njëkohësisht misione të cilat e minojnë sovranitetin për së brendshmi.
Që në zanafillë shteti i Kosovës është menduar të jetë shtet i pabarabartë me të tjerët. Që prej shpalljes së pavarësisë shteti ynë është quajtur sui generis duke na përjashtuar kështu nga rastet precedent të së kaluarës dhe arritjes së lirisë kolektive dhe pavarësisë për popujt dhe shtetet. Si një rast i tillë për të cilin nuk është dëgjuar ndonjëherë nuk mund të ketë model të shtetndërtimit, dhe as masë krahasuese të të drejtave që i gëzon. Kështu ne kemi mbetur në mëshirën e eksperimentit dhe eksperimentuesit, ku mund të provohet çdo gjë në mënyrë që ta gjejmë mënyrën më të mirë të funksionimit. Kur nuk mund të krahasohemi me të tjerët, atëherë nuk mund të jemi të barabartë me të tjerët, dhe as të kërkojmë at që të tjerët kanë. Sui generis na përjashton nga bota dhe nuk na e mundëson integrimin në të.
Sot jemi në katërvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë dhe Kosova është ende pa sovranitet, pa integritet territorial, pa ekonomi, me struktura ilegale të shtetit serb me privatizim të egër neoliberal, me varfëri dhe papunësi më të madhe në Evropë. Këto katër vite janë vite të humbura për Kosovën por jo edhe për politikanët të cilët sot janë më të pasur së kurrë më parë.
*Deputet në Kuvendin e Kosovës