Presidenti Wullf dhe dorëheqjet gjermane
Dje, Presidenti i Gjermanisë, Christian Wullf, dha dorëheqjen. Parmbrëmë, Prokuroria e Hanoverit (Landi i Saksonisë së Poshtme) i drejtoi një kërkesë Parlamentit gjerman për heqjen e imunitetit të Presidentit. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi paraprak për pranim dhe dhënie favoresh nga Presidenti në kohën që ka qenë Kryeministër i Landit të mësipërm. Bëhet fjalë se Presidenti ka pranuar nga sipërmarrës të ndryshëm dhe në mënyrë të veçantë dhe nga një producent filmash, ftesa të sponsorizuara për pushime brenda dhe jashtë vendit.
është hera e parë në historinë gjermane që Budenstagu, duhet të vendosë për heqjen e imunitetit të kryetarit të shtetit. Komisioni Parlamentar i Imuniteteve, sipas shtypit gjerman, mund të mblidhet edhe brenda muajit shkurt, ndërkohë që Budenstagu i fillon punimet më 27 shkurt. Thomas Strobl, kryetari i këtij komisioni, deklaroi se sapo të na vijë kërkesa do ta diskutojmë në Komision dhe do tia paraqesim vendimin tonë Budenstagut nëse duhet të heqim imunitetin e Presidentit.
Përfaqësues të partive opozitare kanë kërkuar që mbrëmë heqjen e imunitetit, ndërsa Kancelarja Angela Merkel, po mbrëmë, nëpërmjet zëdhënësit Steffen Seibert, u shpreh shkurt se Kancelarja mori dijeni mbi vendimin e Prokurorisë.
Në deklaratën e tij të dorëheqjes, ish-presidenti Wullf u shpreh se pas akuzave të javëve të fundit, institucioni u dëmtua në mënyrë afatgjatë dhe theksoi se Gjermani ka nevojë për një President që të ketë mbështetje të gjerë në popull. Një President, i cili të gëzojë besimin jo vetëm të një shumice, por të ketë një shumicë të gjerë të shtetasve dhe shtetaseve. Ndërsa Kancelarja gjermane, pak minuta mbas dorëheqjes së Presidentit, u shpreh: Presidenti federal Wullf vendosi interesat e institucionit dhe shërbimin ndaj njerëzve në vendin tonë, para bindjes së tij se ka vepruar në mënyrë ligjore dhe korrekte, duke vlerësuar gjithashtu faktin se Presidenti është angazhuar gjatë gjithë kohës plot energji në atë detyrë për një Gjermani moderne dhe të hapur realisht është një pikë e fortë e shtetit tonë ligjor që i trajton të gjithë njësoj, pavarësisht se çfarë pozicioni ai mban.
Kristian Wullf ishte Presidenti i dhjetë gjerman që nga pas lufta dhe është zgjedhur në këtë detyrë në qershor të vitit 2010. Ai është zgjedhur nga koalicioni qeverisës duke pas qenë Kryeministër i Landit të Saksonisë së Poshtme për periudhën 2003-2010. Ai u zgjodh pas dorëheqjes krejt të papritur të Presidentit Horst Kohler më 22 maj 2010, pas kritikës që iu bë për mbështetje të misioneve ushtarake gjermane që nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Ai pat deklaruar se kjo tregon një mungesë respekti për insitucionin tim dhe u largua nga detyra në mesin e mandatit të tij të dytë.
Cilat janë aferat e Presidentit gjerman?
Ai ka marrë një kredi prej 500 mijë eurosh në vitin 2008 nga BW-bank e Shtutgardit, me kushte favorizuese. Këtë fakt e paralajmëroi më 12 dhjetor të vitit të kaluar, se do ta bënte të njohur gazeta Bild. Presidenti gjerman komunikoi me kryeredaktorin e gazetës, Kai Dickmann, dhe i kërkoi që të mos botohej ky lajm, duke e paralajmëruar për konsekuenca. Të njëjtën gjë ia kërkoi edhe shefit të shtëpisë botuese Springer, Mathias Dopfner. Ky kërcënim u bë publik mbas Krishtlindjes dhe që nga ajo kohë fillon edhe historia e aferës me median mbas asaj të kredisë.
Më pas dhe deri ditën e djeshme, shtypi ka publikuar favore në jetën private të Presidentit gjatë kohës që ai ka qenë Kryeministër në Landin e Saksonisë së Poshtme. Këto favore kanë të bëjnë me udhëtime të paguara brenda dhe jashtë vendit në dy-tri raste. Dhe ndërkaq popullariteti i Presidentit kishte filluar të binte ndjeshëm dhe përveç opozitës, që dy muaj më parë dorëheqja i është kërkuar edhe nga drejtues dhe deputetë të partisë qeverisëse të Merkelit. Madje, edhe vetë kryetari i Budenstagut (CDU) Lamert, deklaronte në fillim të janarit se këto që po ndodhin nuk kanë dëmtuar personalisht vetëm Presidentin, por në mënyrë të veçantë imazhin e institucionit.
Presidenti Wullf, pas intervistës televizive që dha më 4 janar në stacionet ARD dhe ZDF, pranoi ti përgjigjej çdo pyetjeje të teleshikuesve. Deri ditët e fundit ai u është përgjigjur nëpërmjet internetit rreth 600 pyetjeve për problemet që ishin trajtuar në shtyp kundër tij. Më 3 shkurt, kanali televiziv ARD publikoi disa të dhëna të një sondazhi për temën më të diskutuar të javëve të fundit me Presidentin Wullf. Popullariteti i tij, sipas këtij sondazhi, kishte rënë në mënyrë dramatike. Vetëm 16% e konsideronin Ppresidentin të ndershëm dhe 77% të pandershëm. Vetëm 22% e konsideronin Presidentit të besueshëm dhe 75% të pabesueshëm, 40% vazhdonin të besonin se ai ka ende respekt për ligjet në fuqi. Deri në javën e parë të vitit shumica e gjermanëve mendonin se Presidenti duhet të vazhdonte funksionin e tij, ndërsa në fillim të muajit shkurt mbi 58% e të anketuarve kërkonin dorëheqjen e tij.
Pas dorëheqjes së Presidentit, funksionet do ti kalojnë përkohësisht Presidentit të Budensrat (Këshilli Federal) që drejtohet nga Kryeministri aktual i Bavarisë, Horst Zeehofer, i CSU-së. Presidenti i ri, në bazë të Kushtetutës, duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve nga dorëheqja. Në Këshillin Federal partitë e koalicionit qeverisës kanë një shumicë të ngushtë 2-4 vota, që natyrisht, e vështirëson zgjedhjen e një Presidenti që nuk ka edhe mbështetjen e opozitës. Lidhur me këtë, Kancelarja Merkel deklaroi: Partitë e koalicionit qeverisës do të këshillohen së bashku dhe menjëherë do ti drejtohen opozitës SPD dhe të Gjelbërve, me synimin që të mund të propozojmë një kandidat të përbashkët për zgjedhjen e Presidentit federal të ardhshëm të Republikës Federale të Gjermanisë. Morali politik i politikanëve gjermanë, meqenëse po flasim për Gjermaninë, është shumë i lartë dhe thelbësor për jetën e politikanit, i çfarëdo niveli qoftë ai. Politikanët janë të barabartë jo vetëm përpara ligjit realisht dhe efektivisht, por nuk kanë as jetë private me të cilën mund të sillen si të duan dhe të mos i japin llogari kujt. Ata janë tërësisht të zbuluar dhe ndaj janë të barabartë moralisht dhe ligjërisht me cilindo qytetar gjerman. Aktet e shumta të dorëheqjes kanë ardhur jo thjesht kur janë vënë me shpatulla pas muri, por që në dritën e parë të një afere. Dhe, natyrisht, para vlerës morale, integritetit, personalitetit të secilit, aktet e dorëheqjes shprehin, në fund të fundit, një raport me ligjin, me elektoratin, me partinë, me politikën, me opinionin.
Po flasim për Gjermaninë dhe do të rendis disa të tilla:
1.Kurt Biedenkopf ka qenë Kryeministër i Landit të Saksonisë për 12 vjet, në disa legjislatura deputet, sekretar i Përgjithshëm i CDU-së në vitet 70 dhe më tej anëtar i Kryesisë së saj. Një politikan me hije dhe autoritet të padiskutueshëm. Dha dorëheqjen më 18 prill 2002 si Kryeminisër. Dhe pse? Sepse bashkëshortja e tij kishte blerë disa vite më parë tek Ikea disa artikuj me vlerë 880 marka dhe kishte përfituar një bonus prej 132 markash, pra 60 euro të sotme. Biedenkopf e mësoi këtë nga shtypi dhe dha dorëheqjen.
2. Monika Hohlmeiers është vajza e Kryeministrit të famshëm bavarez, Franc Josef Straus. Në vitin 2004 ajo dha dorëheqjen nga ministre e Kulturës e Bavarisë. Dhe përse? Sepse shtypi publikoi se ajo i dërgonte fëmijët në shkollë me makinën e saj zyrtare. Vetëm kaq. (Te ne i thonë: makina e babit, shoferi i babit, badigardi i babit.).
3. Michael Steiner ka qenë njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të kancelarit Shrëder, këshilltar diplomatik i tij. Ai dha dorëheqjen. Dhe pse? Sepse duke u kthyer nga një mision në Moskë me avionin qeveritar, kërkoi haviar!! Punonjësit e shërbimit i thanë se nuk mbanin haviar dhe Shtainer kërkoi shumë shpjegime. E
