40-vjetori i Akademisë së Shkencave kremtohet vetëm mes lavdeve
Tiranë- Dyzet vjet shkuar, në Shqipërinë e cila një nga një kishte nisur të formësonte institucionet shkencore, u themelua Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
40 vjet më pas, në një sallë që bëri bashkë personalitete të shkencës shqiptare, akademikë vendas dhe të huaj, përfaqësues të institucioneve shtetërore, u shënua ky përvjetor i intitucionit më të lartë të shkencës në vend.
Në fjalën e tij Akademik Gudar Beqiraj, kreu i institucionit vuri theksin në kontributin e dekadave veprimtari shkencore dhe më shumë se kaq, falënderoi kryeministrin e pranishëm në sallë për gjithçka ka bërë për shkencën në vend.
Po çka bërë kryeministri për dhe me Akademinë e Shkencave?! Shumçka mbase, por Z.Berisha do të mbahet mend si ‘reformuesi’ i këtij institucioni, një reformë për të cilan prej vitit 2006 e në vijim është debatuar jo pak. Reformë rrjedhojë e së cilës, ishte një Akademi Shkencash honorifike, siç është sot.
Të pranishëm në sallë ishin edhe shumë prej atyre personaliteteve të shkencës, akademikëve të cilët e kanë kundërshtuar jo pak reformën e cila bëri që tërë financimet për kërkimet shkencore tanimë të shkojnë për Qendrën e Studimeve Albanologjike, në varësi të të cilës janë institutet shkencore, deri dje në varësi të Akademisë së Shkencave. Ata ishin sepse kjo është një ditë feste dhe në festa e përvjetore thuhen veçse fjalë të mira, dhe nuk flitet aspak për probleme dhe kushtet e punës së akademikëve të këtij institucioni.
Nga kjo ceremoni kremitimi për 4 dekadat e Akademisë së Shkencave, kryeministri theksoi edhe një herë kontributin e tij për një kërkim shkencor të lirë, sikundër e ka bërë përgjatë këtyre viteve pas reformimit të akademisë.
Kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes, pasi Z. Berisha vuri thekson në kontributin e jashtëzakonshëm të shkencëtarëve Eqerem Çabej e Aleks Buda për të vërtetat historike që kanë sjellë në vëemendjen e shqiptarëve ndër dekada. Kryeministri i vendit përmendi edhe kontributin e çmuar të shkrimtarit Ismail Kadare në ndërkombëtarizimin e letërsisë shqiptare.
Kryeministri shqiptar Sali Berisha, në këtë ceremoni të kremtimit të 40-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave, u nderua me titullin Senator Nderi i i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës që ju akordua në Tiranë nga Zëvendëskryetari i kësaj akademie.