Gjirokastër, sekuestrohen 30 kg marijuanë, në pranga poseduesi
Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar mëngjesin e sotëm rreth 30 kg marijuanë gjatë kontrollit të ushtruar në makinën që drejtohej nga një 21 vjeçar, pas informacioneve të marra në rrugë operative.
Sipas policisë, droga është kapur në aksin rrugor Gjirokastër-Derviçan, gjatë një kontrolli në një automjet me targa FR 60 55 B, ndërsa është arrestuar edhe drejtuesi i mjetit, Letjon Kadëna, 21 vjeç nga Gjirokastra.
Drejtuesi i mjetit mësohet se nuk i është bindur postbllokut të policisë të vendosur në këtë rrugë dhe ka vijuar të lëvizë me shpejtësi duke vënë në rrezik edhe jetën e efektivëve të policisë. Blutë e Gjirokastrës janë vënë në ndjekje të makinës së drejtuar nga 21 vjeçari dhe kanë bërë të mundur neutralizimin e tij. Ndërkohë nga kontrolli i ushtruar në automjet janë gjetur dhe sekuestruar dy çanta në të cilat gjendeshin të mbështjella me letër natriban rreth 30 kg marijuanë, që mendohet se ka ardhur nga Lazarati dhe ishte e destinuar për një blerës, i cili është identifikuar nga polica dhe është shpallur në kërkim por për arsye hetimore nuk bëhet i ditur identiteti i tij.
12 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Gjirokastër, sekuestrohen 30 kg marijuanë, në pranga poseduesi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip