41-vjeçarja u përndoq për vdekje, sociologu Tusha: Shoqëria maskiliste nuk e përkrahu!

Bullizimi në rrjetet sociale, dhuna psikologjike në familje dhe krimet kibernetike janë fenomene në rritje në Shqipëri.
Sociologu Gëzim Tusha komentoi në “RTSH 24” ngjarjen më të fundit që përfundoi në tragjedi për një nënë të katër fëmijëve, viktimë e përndjekjes dhe përfundimisht e vetëflijimit.
“Rasti i të ndjerës është kompleks, sepse ajo është ndodhur në një lloj trekëndëshi fatal: ka pasur ngacmime kibernetike, bullizimin dhe shoqërinë. Gratë në shoqërinë tonë janë viktima të një dhune të shumëfishtë dhe kjo kërkon një diagnostikim të plotë të shkaqeve se pse ndodh kjo. Unë mendoj se në Shqipëri, në zonat metropolitane, sidomos rurale e periferike, mund të kemi shumë raste analoge nën presionin e burrave të dhunshëm, sadistë.
Si sociolog dhe psikolog mendoj se një nga arsyet pse ajo nuk gjeti rrugëdalje është pikërisht sepse nuk kishte përkrahje: u cenua në identitetin e saj, u akuzua për moralin e saj. Vetëvrasja është një akt i papranueshëm. Gratë duhet të gjejnë rrugën e duhur për të denoncuar, për t’u larguar nga burri apo familja dhunuese, sepse në fund të fundit jeta e grave është shumë e rëndësishme.”
Duhet të bëjmë një diagnozë të shoqërisë tonë: të shikojmë helmin maskilist në shoqërinë shqiptare, kornizën e ngushtë kulturore për femrën, mentalitetin obskurantist që kanë një pjesë e meshkujve, të cilët e konsiderojnë femrën pronë të tyren, qenie të dorës së dytë, se janë ata që përcaktojnë si duhet të sillen, kë duhen të kenë shoqe, çfarë është e lejuar. Nga bashkëshortë dhe partnerë, këta meshkuj kthehen në vasalë dhe sundues, dominantë. Meshkujt dominantë janë burimi kryesor i dhunës dhe i krimit në shoqërinë tonë,” tha z. Tusha.
Sipas z. Tusha, struktura familjare në shumë është e cunguar dhe e ushqen mentalitetin shtypës ndaj gruas. Por sociologu
“Ne kemi familje të cilat më shumë sesa funksionojnë strukturalisht, janë kthyer në çmendina të vërteta, në çerdhe gjarpërinjsh ku ka dhunë verbale, fizike dhe e gjitha kjo shkarkohet në dy kategori shoqërore: dy viktimat më të mëdha në shoqërinë dhe familjen shqiptare janë gratë dhe fëmijët.
Në të gjitha momentet është e domosdoshme që për njerëz që ndodhen në këta trekëndëshat fatalë apo katërkëndëshat fatalë apo në një rreth të ngushtë vicioz që duket pa rrugëdalje, ata që duhet të ndihmojnë djemtë dhe vajzat tona janë të afërmit e tyre: së pari njerëzit e komunitetit, kolegët e punës, strukturat e jetës sociale, prindërit, njerëzit e dashur, të cilët duhet të këshillojnë për të gjetur rrugën biofilike, jetësore, dhe jo rrugën nekrofilike, rrugën e vdekjes, marrjes së jetës. Nuk ka kontradikta që nuk zgjidhen,” shtoi sociologu Tusha.
/rtsh.al/