45 vjet në skenën muzikore, grupi i rrock-ut “403“ vijon me sukses karrierën

Grupi “403” është një nga grupet më të veçanta rrock kosovare, përsa i përket llojit të rrymës rrock. I formuar në vitin 1981 në atë kohë kur muzika rrock po kulminonte në Kosovë, grupi “403” katapultohet me këngët Indeksi, Bohemi dhe Paraja.
Këngët dhe tekstet e tyre përmbajnë revoltën dhe rebelimin ndaj padrejtësisë shoqërore dhe ndarjes sociale, të cilat u bënë popullore që me lancimin e tyre nëpër radiot e asaj kohe.
Në vitet 85 – 86, grupi “403” ishte grupi i vitit në Kosovë, i cili merr pjesë edhe në disa festivale rrock në ish-Jugosllavi ku përfaqësuan denjësisht Kosovën.
Grupi “403” rikthehet fuqishëm në skenën shqiptare në vitet 2000 ku sjellin për publikun shqiptar albumin e premtuar me 15 këngë duke sjellë dhe krijime të reja si Përralla, e cila ka një përmbajtje eposi. Krijimet e reja vijnë si rock soft e gërshetuar me blues, por që bazohen në muzikën etno shqiptare.
Hektor Gjurgjali, protagonisti i grupit ka kontributin kryesor në krijimtari, dhe atë që e bën me karakteristike është harmonia e tij në pothuajse të gjitha këngët.
Sot “403”- shi është tepër aktiv në skenat e rrokut dhe festivaleve të rrokut, blues – it , duke qenë tepër i preferuar për të gjithë gjeneratat.
Gazetare: Alida Ismailaj
/rtsh.al/