47 vite me artin e pikturës – Shpëtim Demollari hedh në telajo bukuritë e Maliqit

Në një kohë kur teknologjia po zëvendëson pikturën me printimin, të shohësh këto pamje në rrugët e qytetit nuk ndodh shpesh. Të rrallë janë piktorët që zbukurojnë qytetin me artin e tyre dhe i tillë është piktori Maliqar Shpëtim Demollari. Ai jeton në Libonik dhe me pasionin e tij, i jep jetë pikturës. Talenti i tij ka lindur që në moshën 13 vjeçare. Mes pasionit dhe dashurisë për punën dhe natyrën shqiptare, 60-vjeçari na tregon për zbulimin talentit të tij.
“Mbarova studimet Liceun Artistik në Korçë, pas mbarimit të studimeve punova në Pallatin e Kulturës për disa vite. Disa nga pikturat i kam me natyrë të qetë sepse aty ndihem shumë i plotë”, tha piktori Shpëtim Demolari.
Piktori i Libonikut ju bën thirrje të gjithë të rinjve që të shfaqin talentin në vendin e tyre dhe të punojnë për Shqipërinë.
“Të rinjtë që kanë talent në art dhe pikturë nuk duhet ta lënë kurrë talentin por duhet të punojnë sa më shumë që të zbukurojnë vendin e tyre”, tha piktori.
Prej 47 vitesh, piktura është një pasion që shoqëron përditshmërinë e Demollarit ndërsa talentin e ka shprehur në realizim portretesh, peizazhesh, etj.
Gazetare: G. Sali
/RTSH/