E Martë, 3 Nëntor 2026

Nis rigjenerimi i pyjeve ne Mirdite – Mbillen 1700 fidanë pishë e zezë në Parkun Natyror të Munellës

Pyjet e dëmtuara nga zjarret apo faktor të tjerë në Mirditë do të rigjenerohen. Ndërhyrja për ripyllëzimin nisi nga Thirra pjesë e parkut natyror të Munellës. Në këtë zonë pyjore të zhveshur nga bimësia, u mbollën 1700 fidanë pishë e zezë, ndërsa pjese e aksionit u bënë Bashkia Mirditë, Administrata e Zonave të Mbrojtura, organizatat për mbrojtjen e mjedisit, shtëpia e Evropës dhe nxënës shkollash.

“Është një ndër zonat e prekura më shumë dhe jo vetëm nga zjarret por edhe nga kushtet e këtyre 30 viteve ku dhe njerëzit e kanë dëmtuar si zonë”, tha kryetari i bashkisë Mirditë, Albert Melyshi.

Parku natyror i Munellës dhe zona përreth ka pësuar degradime të vazhdueshme përgjatë 30 viteve dhe marrja e masave parandaluese dhe rehabiltuese në pyje është një domosdoshmëri thotë specialisti i mjedisit Aleksander Trajçe.

“Kemi zgjedhur këtë rajon që është shumë i rëndësishëm për nga pikëpamja ekologjike për shumë lloje të rëndësishme për vendin tonë si rrëqebulli, ariu i murrmë, për të marrë një masë ndërgjegjësuese por dhe rehabilituese”, tha Aleksandër Trajçe, specialist mjedisi, drejtor i PPNE.

Rehabilitimi i pyjeve në parkun natyror të Munellës ka si qëllim rigjenerimin e habitateve në këtë zonë, ku jeton rrëqebulli i Ballkanit, ndërsa korridori i Thirrës është mjaft i rëndësishëm pasi ndërlidh Malin e Zepës me parkun e Munellës.

Gazetare: E. Dyrmishi

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›