5 koncerte në 4 ditë në Korçë – MIK Festival, eventi me muzikë të zgjedhur shqiptare e të huaj

Korça po bëhet gati për të mirëpritur një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të verës, “Festivalin MIK 2025”, që këtë vit zhvillon edicionin e tij të 8-të. I udhëhequr nga sopranoja e mirënjohur Inva Mula, festivali do të mbahet nga 10 deri më 13 korrik, duke sjellë pesë koncerte në katër ditë, në atë që organizatorët e kanë cilësuar si një “maratonë kulturore”.
Në një konferencë për shtyp, drejtoresha artistike, Inva Mula, prezantoi programin dhe risitë që sjell edicioni i këtij viti.
“Në 4 ditë kemi pesë koncerte, dhe këtë festival e kemi quajtur maratonë. Do ta fillojmë me një natë shqiptaro-kineze, më lindi ideja pse të mos bëjmë një edicion ku të kemi një përballje të muzikës shqiptare dhe kineze. Kemi ftuar një soprano shumë të njohur kineze e cila do të përformojë edhe këngë shqiptare, do të jetë një nga instrumentistët i cili ka një nga instrumentet më të rrallë i cili gjendet vetëm në Kinë dhe i kam ballafaquar me Genc Tukiqin dhe do të jetë në ditën e parë të eventit”, u shpreh Soprano Inva Mula.
Më tej Mula theksoi se do të përkujtohet jeta profesionale dhe ajo personale e tenorit të ndjerë përmes zërave të atyre që kanë ndarë skenën dhe jetën artistike me të. I pranishëm do të jetë balerini Eno Peçi. Në skenë do të ngjitet gjithashtu Kastriot Tusha, një prej studentëve të tij më të spikatur.
Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes do të jetë rikthimi pas 30 vitesh në skenën shqiptare i sopranos së njohur Tatjana Kora. Me një karrierë të lavdishme operistike, Kora njihet për interpretimin e saj brilant në operën “La Traviata”, dhe kthimi i saj konsiderohet një ngjarje e veçantë për artdashësit shqiptarë.
“Nata e dytë do të jetë një natë e cila do të ngjalli shumë emocione, do ti bëjmë homazh lirikut më të madh të vokalit shqiptar, Gaqo Çako, “Artist i merituar dhe Nder i Kombit”. Sigurisht që nuk mund të linim pa përmendur edhe njerëzit që kanë udhëtuar me Gaqo Çakon ku njeri prej tyre është Eno Koço. Kastriot Tusha është një ndër studentët Gaqos i cili ka marrë shumë prej tij. Një element që nuk e kemi parë këto 30 vjet është Tatjana Kora, e cila një ndër sopranot më të mira që ne kemi pasur dhe një nga operat më të shkëlqyera ka qenë “La Traviata”, Tatjana vjen mbas 30 vitesh në Shqipëri. Ky do të jetë një tregim i jetës profesionale dhe personale i të madhit Gaqo Çako. Më paqs do të ecim me një koncert në stilin vjenez ku do të marrë pjesë edhe Eno. Përveç valseve të Shtrausit, ku kemi të ftuar Ana Naqen”, u shpreh Mula.
Edicioni i tetë i “Festivalit MIK 2025” do të kulmojë në një atmosferë unike duke u zhvendosur për herë të parë në kishën historike të Vithkuqit, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Në ditën e 4 do të vijmë për herë të parë në kishën e Vithkuqit, përveç një koncerti të mrekullueshëm do të kemi dhe një panair të gastronomisë dhe punëve me dorë. Në këtë koncert do të kemi dy “Ave Maria” të shkëlqyera gjithashtu edhe disa aria antike që do të interpretohen nga Norma Sereni. Këtë vit do të kemi diçka të re që nuk e kemi pasur vitet e tjera, kemi një natë që e kemi quajtur “Retro Pasion”, duke sjellë serenata të cilat nuk janë kënduar kurrë dhe dalin për herë të parë, të padëgjuara nga publiku”, tha ajo.
Ky edicion pritet të jetë një dëshmi e fuqisë së artit për të bashkuar kultura dhe popuj.
/rtsh.al/