E Hënë, 2 Nëntor 2026

Partitë nuk gjejnë konsensus, dështon edhe seanca e 43-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Asnjë konsensus i arritur nga subjektet politike të Kosovës për Kuvendin, duke bërë kështu që të dështojë edhe përpjekja e 43-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Ndonëse afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese ka nisur numërimin mbrapsht, vetëm 55 deputetë nga 99 të pranishëm në sallë votuan pro, ndërsa partitë politike, konkretisht PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, nuk bënë propozime për anëtarë të Komisionit për votim të fshehtë, që do të mundësonte zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Zv.kryesuesja e seancës, njëherësh deputete e PDK-së, shprehu shqetësimin për bllokadën e krijuar, duke theksuar se është LVV-ja ajo e cila po vijon të krijojë ngërçin në Parlament.

“Edhe sot po vazhdojmë të bëjmë thirrje për atë që është e drejtë dhe që qytetarët e meritojnë. Po bëjmë thirrje për zgjidhje. Edhe sot në tentativën e 43-të, LVV-ja ende sillet sikur të kishte më shumë se 50 përlind të ulëseve në Parlamentin e Kosovës. Kompromis është kur PDK-ja i ka dhënë mundësisë LVV-së duke i thënë ‘ne do të votojmë një shumicë emrash të VV-së … çfarë zgjidhje po kërkohet kur zgjidhja gjendet para jush”, deklaroi deputetja Sala Jashari.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, i cili u shpreh se është LVV-ja ajo e cila nuk po ndërton asnjë marrëveshje politike, duke vijuar të mbajë të bllokuar Kuvendin.

Ai theksoi se shpërndarja e Kuvendit ndodh vetëm në rastet kur Parlamenti dështon në zgjedhjen e qeverisë, dhe jo në konstituimin e vetë këtij institucioni.

“Shpërndarja e Kuvendit vjen kur dështon Kuvendi të zgjedhë qeveri e jo kur dështon të konstituojë vetveten. Kjo është problem i partisë së parë, nuk është problem as i individit, as i deputetit, është çështje që i kërkohet partisë së parë të gjejë formë të ndërtojë një marrëveshje politike. Nuk mu ndesh edhe procedurë edhe marrëveshje politike, edhe  deputet edhe ministër, edhe me bomba edhe pa bomba. Nuk funksionon kjo situatë kështu”, tha Haziri.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, shprehu gatishmërinë për të mbështetur emrat e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ishte dashur, nëse ka vullnet që të dilet nga kjo situatë, ishte dashur. Ne po bisedojmë nga pak, po aty ka, për shembull, merake të ndryshme – jo unë e kisha votuar atë. Unë çka dalloj nga grupi, veç që mua më duken të njëjtë, nuk ke çka të zgjedhësh aty. Cilindo ta qesin, me Kushtetutë i takon, por votojeni kushdo që është, se të njëjtë janë”, tha Berisha.

Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj përcaktoi 30 ditë afat për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se seanca e 5 korrikut, dështoi për shkak të alarmit për bombë, por që më pas rezultoi i rremë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›