E Enjte, 5 Nëntor 2026

5 studio të mirënjohura europiane paraqesin projektidetë për Rozafën e re

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ 5 studio të mirënjohura europiane paraqitën sot në një konkurs ndërkombëtar të mbajtur në Shkodër, projektidetë për Rozafën e re.

Studiot pjesëmarrëse janë Benedetta Tagliabue – EMBT Architects nga Barcelona; Kuehn Malvezzi Architects nga Berlini; Selgascano Architects nga Madridi; Baukuh Architects nga Milano dhe Piero Lissoni & Partners nga Milano.

Në prezantim ishin të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama si dhe kreu i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.

Përfaqësuesi i studios milaneze “Baukuh Architects”, tha se ndërtesa e hotelit do të duhet të jetë 100 metra e lartë, pothuajse do të arrijë lartësinë që ka vet Kalaja. Sipas tij, në mënyrë radikale do të ndryshojë vijën e horizontit të qyteti dhe mënyrën se si e mendon vet popullata qytetin.

“Nga aspekti ligjor bëhet fjalë për ndërtesë private, por nga këndvështrimi urban bëhet fjalë për godinë publike sepse do të rikonceptojë imazhin që ka popullsia për qytetin dhe horizontin e tij”, u shpreh përfaqësuesi i studios milaneze.

Përfaqësuesja e studios “EMBT Architects”, nga Barcelona, Benedetta Tagliabue theksoi objekti do të jetë në harmoni me qytetin ekzistues, pra do të jetë në harmoni me mënyrës se si shfaqet dhe lartësohet.

Hapësira përreth, theksoi ajo, do të jetë publike.

Ajo informoi se do të ndërthurin edhe elementin e gjelbër brenda tarracës, e cila po ashtu ka funksionin e ujëmbledhësit.

“Në këtë lloj pozicioni e bën të lehtë që ndërtesa të ketë bimësi, gjelbërim dhe është në një mjedis të mbrojtur nga pikëpamja klimaterike. Propozojmë të ketë një lloj ndërthurjeje me ndërtesat e vjetra. Vet ndërtesa do të jetë një shembull më vete i ndërtesës së qëndrueshme”, u shpreh ajo.

Përfaqësuesit e studios “Kuehn Malvezzi Architects”, nga Berlini thanë se hoteli i ri “Rozafa” do të jetë një pike e re në hartën e qytetit, një qendër e rëndësishme që do të ketë edhe raportin e saj me zonën përreth.

Në aksin kryesor, theksuan ata, do të ketë synim të bëhet qendër e re kulturore, do të jetë një hapësirë për të mbledhur qytetarët.

“Në këtë yjësi institucionesh shtetërore, fetare, kulturore, kemi muzeun kombëtar “Marubi, kemi vendin vendin e kujtesës dhe dëshmisë, galerinë e bashkisë së qytetit të Shkodrës dhe Teatrin “Republika”. Gjithashtu kemi edhe Art House në të cilin çdo vit krijohet arti. Do të kemi një yjësi me tre elementë unik, hotelin ekzistues, kullën e re, por edhe me zonën e përbashkët këtu krijohet edhe hapësira e ndërmjetme që do të jenë gjysmë publike dhe publike. Kemi një platformë që do të lidhë hotelin ekzistues me godinën e re”, u shprehën ata.

Sipas tyre, kulla e re do të jetë shumëdimensionale. “Do të kemi 9 kopshte. Një kopsht me shkëmbinj, një me përronj, kopshte të vogla të qyteteve dhe kopshtet vertikale të dy kullave”, thanë ata.

Platea në tarracë do të jetë një kopsht i gjelbër.

Përfaqësuesit e studios “Piero Lissoni & Partners” nga Milano thanë se qëllimi i tyre ishte të sillte peisazhin e qytetit te ndërtesa.

sipas tyre, kati i parë do të ketë një hyrje që do të ndajë godinën e vjetër me të renë. Por godinat nuk do të shikojnë njëra-tjetrën dhe do të kenë një lloj peisazhi në mes.

Në lartësi, sipas përfaqësuesve të studios, janë krijuar dy ndërprerje që ndërthuren me gjelbërim.

“Ideja është të hyjë shikimi nga brenda jashtë“, shprehen ata.

Përfaqësuesit e studios “Selgascano Architects” nga Madridi treguan se për të ndërtuar projektin e Rozafës së re kishin punuar me tre pamje, Liqenin e Shkodrës, Alpet e Shqipërisë si dhe lumenjtë, Buna e Drin.

“Punuam po ashtu me 4 madhësi për ta bërë më të lehtë e më njerëzore këtë kullë“, shprehen ata.

Ata shprehen se kulla është e organizuar në tre blloqe, poshtë pjesa tregtare, apartamentet, dhë më pas hoteli që do të jetë në pjesën e  sipërme.

Ata siguruan se do të ruhet dhe do të shtohet gjelbërimi në t gjithë zonën.

1 nga 14

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›