5 vite nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, Kurti: Nuk ka më arsye ligjore apo morale për të mbajtur në paraburgim

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me shënimin e 5 viteve që ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë arrestuar dhe ndodhet në paraburgimin e Hagës
Kurti tha se nuk ekzistojnë më arsye ligjore apo morale për të mbajtur të arrestuarit, duke shtuar se Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe nuk ka më dëshmitarë.
“Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë. Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”.
Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim. Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet. Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar”, shkruan Kurti në facebook.
Kurti theksoi se që nga dita e parë ka kërkuar lirimin e tyre dhe ka dërguar letra drejtuar autoriteteve të Hagës, por përgjigjja nuk ka ndryshuar situatën. Kurti bëri thirrje që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në shtëpitë e tyre, pranë familjeve, dhe të vazhdojnë të mbrojnë në liri luftën çlirimtare të Kosovës.
“E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje. Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre”, shkruan ai.
/rtsh.al/