Raporti i BE-së për Shqipërinë, Gjipali: Vlerësim pozitiv, por dy vitet e ardhshme janë vendimtare

Eksperti për çështjet e integrimit europian, Gledis Gjipali, komentoi raportin e progresit të Bashkimit Europian për Shqipërinë në një intervistë për RTSH 24, duke e cilësuar atë si një dokument tejet pozitiv që reflekton arritjet konkrete të vendit në procesin e negociatave.
Para se të ndalej në detaje, Gjipali vlerësoi tonin e përgjithshëm të raportit duke theksuar se është pasqyrim i fazës së avancuar të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
“Është një raport tejet pozitiv. Gjë që pritej, sepse kemi hapur 5 grupkapituj nga 6 të tillë. Është një fazë e avancuar e Shqipërisë në procesin europian, dhe raporti e ka reflektuar pozitivisht këtë arritje.”
Duke folur për sfidat që mbeten, eksperti theksoi nevojën për angazhim të shtuar nga institucionet shqiptare, duke shtuar se, “Intensifikimi i procesit që ka të bëjë me hapjen dhe me mbylljen e gjithë procesit është një punë e madhe që duhet bërë nga institucionet tona. Pra, nuk mjafton ky progres i viteve të fundit, por do të duhet të bëjmë shumë më tepër në dy vitet e ardhshme që janë vendimtare për gjithë procesin.”
Gjipali vlerësoi qëndrueshmërinë e progresit, por paralajmëroi se reformat duhet të përshpejtohen për të ruajtur ritmin e progresit.
“Në këtë aspekt, progresi është i qëndrueshëm, por për të pasur më shumë sukses duhet rritur ritmi i reformave.”
Një nga risitë e raportit, sipas tij, është qartësia me të cilën janë artikuluar detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë.
“Risia e Raport-Progresit është në vetë faktin që e ka vënë theksin në detyrat e ardhshme që Shqipëria duhet të bëjë, duke i shprehur më qartë ato, sepse nuk ka më kohë.”
Duke analizuar ecurinë e reformave, Gjipali vuri në dukje se progresi është i qëndrueshëm, por kërkon më shumë dinamikë, ndaj ai shtoi se ndryshimi i qasjes nga BE është i dukshëm.
“Më parë flisnim për një proces i cili nuk e kishte të përfunduar datën e përfundimit, kur BE thoshte ‘kur të jeni gati’ dhe merrni kohën që dëshironi. Së fundmi, të dyja palët kanë marrë një angazhim për 2027 për të përmbushur të gjitha detyrimet. Në këtë aspekt, Komisioni Europian është më i drejtëpërdrejtë dhe më i qartë që këto janë pikat e nxehta që duhet të trajtohen në mënyrë të përshtatshme.”
Ai theksoi se një nga risitë më të rëndësishme të raportit është mënyra e drejtpërdrejtë me të cilën janë artikuluar detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë. Sipas tijj, nuk ka më vend për selektivitet në reforma.
“Dy vitet e ardhshme janë vite kyçe ku ky progres duhet të ketë në të gjitha fushat dhe nuk ka më vend për prioriterizim, por duhet të ketë progres në gjithë grupkapitujt.”
Duke u ndalur në një nga pikat e raportit sikurse është Reformën Zgjedhore, Gjipali tha se ajo mbetet një çështje e pazgjidhur prej vitesh.
“Kjo është një çështje e mbajtur në vite dhe KE ka bërë thirrje vazhdimisht për adresimin e gjithë çështjeve të konstatuara nga OSBE-ODHIR. Gjithmonë Komisioni i referohet OSBE-ODHIR si institucion me reputacion i specializuar për zgjedhjet, sepse Komisioni Europian nuk i trajton çështje të tilla. Patjetër që duhet të adresohen këto problematika, sepse këto zgjedhjet dhe të tjerat krijojnë premisat e konfliktualitetit në jetën politike. Pavarësisht se zgjedhjet janë brenda standardeve të kërkuara, problematikat shoqërojnë jo vetëm debatet politike por edhe punën në Kuvend, që gjithmonë ka qenë problematike.”
Megjithatë, ai sqaroi se mungesa e progresit në këtë fushë nuk është kriter ndalues për anëtarësimin.
“Ndaj është prioritet që palët politike duhet ta zgjidhin, por nga ana tjetër nuk është kriter ndalues nëse nuk ka zhvillime në këtë fushë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.”
/rtsh.al/