E Shtunë, 31 Tetor 2026

50 hartat arbërore në Bruksel

Në hapësirat e Parlamentit Europian, në Bruksel, është hapur ekspozita e emërtuar "Euro-Albanian Contacts" (Kontaktet Euro-shqiptare). Ekspozita është organizuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë.

Kuratorë të ekspozitës, janë Artan Shkreli dhe Artan Lame. Sipas tyre, kjo "është ekspozita e parë e këtij lloji, dhe ajo paraqet hartografinë e trojeve arbërore ndër shekuj".

Në ekspozitë paraqiten afro 50 harta të ndryshme trojeve arbërore, brenda një harku kohor prej 17 shekujsh.

Pjesa më e madhe e këtyre hartave shfaqen për herë të parë në një ekspozitë. Ato gjatë javëve të ardhshme do të ekspozohen edhe në Shqipëri. Veç tyre, në ekspozitë do të shfaqen edhe afro 100 botime evropiane, të cilat flasin për Shqipërinë, për turizmin dhe për kulturën shqiptare.

Ekspozita “Euro-Albanian Contacts” është hapur fillimisht në Bruksel, me qëllim që të promovohet imazhi i Shqipërisë në Europë, në 100-vjetorin e pavarësisë së vendit.

Ndryshe, zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Miguel Angel Martinez, nëpërmjet një ceremonie të posaçme - pjesë e cilës ishin edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe deputeti, Taulant Balla - ka bërë të mërkurën hapjen zyrtare të ekspozitës “Euro-Albanian Contacts”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›