Championsi, më i pasur në krizë

Ditët e para të kampionateve kombëtare kanë shërbyer për t’i ndezur motorët, për t’i provuar taktikat. Tash ka ardhur koha e ndeshjeve që çojnë peshë- arrin Liga e Kampionëve.
Kjo është gara të cilën e synojnë qindra ekipe, ndërsa në fund në fazën e grupeve shkojnë vetëm 32.
Kjo është edhe arsyeja përse ky eveniment gjeneron aq shumë. E dini sa para i ka bërë gati UEFA këtë sezon për Champions? Plot 910 milionë euro, rreth 150 më shumë se vitin e kaluar.
Është e vërtetë. Vetëm fakti se luajnë në fazën e grupeve, çdo skuadër do t’i marrë nga 8,6 milionë euro, rreth 1,5 më shumë sesa merrte në sezonin 2010/11.
Ndërkaq, skuadrat që e kalojnë fazën e grupeve do t’i përfitojnë edhe nga 3,5 milionë, kurse ato që shkojnë më pas në çerekfinale do të pasurohen edhe me 3,9 milionë të tjerë.
Gjysmëfinalistëve do t’u shkojnë në llogarinë e tyre 4,9 milionë tjera, kurse ekipi i cili do ta humb finalen e Wembleyt mund të ngushëllohet me 6,5 milionë euro.
Ekipi i cili do të shpallet kampion i Evropës më 25 maj të vitit tjetër në Wembley do t’i përfitojë 10,5 milionë.
Nëse llogaritet edhe marketingu dhe transmetimet televizive, nga 409,6 milionë euro sa do të shkojnë në kasat e UEFA-s, fituesi i Championsit do t’i fitojë në total rreth 60 milionë euro. E gjitha kjo në një kohë krize...