50 vatra zjarri në 24 orët e fundit, situatë ende problematike në zonën e Syrit të Kaltër e vende të tjera

Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 50 vatra zjarri, prej të cilave 19 mbeten ende aktive në disa qarqe, duke rrezikuar banesa dhe zona të mbrojtura.
Problematike, situata raportohet në qarkun e Vlorës, në bashkinë Finiq dhe Delvinë, pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër, ndërsa në terren po operojnë 8 mjete zjarrfikëse, 4 ndër të cilat janë të FA dhe rreth 90 forca operacionale, mbështerur edhe nga helikopteri i Forcës Ajrore si dhe 2 avionë grek PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak.
Sot pritet të vazhdojë puna me të njëjtat kapacitete, të ndihmuara edhe nga 1 helikopter Black Hawk i Forcës Ajrore.
Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), te maja e “Lucës”, mbi tunelin e Skërficës vazhdon zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje, terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka. Situata po monitorohet dhe paraqitet e qëndrueshme.
Qarku Dibër, në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, Bashkia Bulqizë në zonë të mbrojtur vazhdon aktive kjo vatër zjarri, që është zhvilluar me intensitet mbi fshatin Val, larg zonave të banuara në një zonë shkëmbore ku digjen, bimë më të rralla dhe barishte.. Situata po mbikëqyret nga autoritetet vendore.
Në fshatin Xibër, bashkia Klos vatra e zjarrit është izoluar dhe po mbahet në monitorim nga autoritetet vendore.
Qarku Berat, në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit. Në vendngjarje po punojnë pesë mjete dhe rreth 75 forca operacionale, mbështetur nga ajri me helikopterin e Forcës Ajrore.
Qarku Tiranë, vijon aktiv zjarri në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, ku po forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen e tij.
Në fshatin Stërbeg, bashkia Rrogozhinë, ku zjarri ka kaluar në fshatin Spanesh. Në vendngjarje ndodhen forca dhe mjete nga MZSH Rrogozhinë të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Në fshatin Hajdaraj, bashkia Kavajë, vatrat janë drejt shuarjes së plotë, ku forcat në terren janë mbështetur edhe nga ajri, me një avion, që po punon aktualisht për shuarjen e vatrës së fundit.
Në lartësitë dominuese të fshatit Damjan dhe Isufaj, zona Arbanë, njësia administrative Vaqarr, ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha. Aktualisht, edhe pse terreni është i vështirë, po veprojnë 6 mjete dhe rreth 40 forca nga strukturat operacionale si dhe një avion Canadair kroat.
Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, bashkia Tiranë, në zjarrin e përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, po operojnë në automjete zjarrfikëse nga MZSH, por situata paraqitet e ndërlikuar dhe rrezikohen banesa. Forcave në terren u janë bashkuar 2 helikopterë Black Hawk të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në kodrat e Selitës, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk ka akses për kalueshmëri mjetesh. Situata po monitorohet nga forcat bashkiake.
Qarku Durrës, në fshatin Barkanesh, bashkia Krujë është aktivizuar një vatër zjarri në terren të vështirë, ku po veprojnë mjete dhe forca operacionale vendore.
Qarku Gjirokastër, në fshatin Turan, bashkia Tepelenë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, i cili u përhap në drejtim të fshatit Lekel dhe Koder, ku u dogjën dy stalla, por me dëme minimale në bagëti. Ne terren operuan rreth 100 forca dhe mjete nga gjithë qarku Gjirokastër, dhe sot vijon puna me ndihmën e dy helikopterëve çekë dhe sllovakë. Zjarret raportohet se kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë në disa zona të qarkut Gjirokastër, përfshirë edhe Bistricën. Po punohet për normalizimin e situatës.
Qarku Elbasan, në fshatrat Mukaj, Snosem dhe Sojnik, bashkia Gramsh, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me shkurre dhe ferr, ku forcat operacionale të MZSH Gramsh janë mbështetur nga 25 efektivë të FA Elbasan. Zjarri vijon të përhapet me shpejtësi për shkak të erërave dhe thatësirës.
Qarku Shkodër, është aktivizuar vatër zjarri në hyrje të qytetit Pukë, vijojnë punën forcat operacionale vendore. Situata është në kontroll dhe nuk paraqet rrezik.
Në fshatin Xath, bashkia Fushë Arrëz ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha, që nuk e mundëson ndërhyrjen nga forcat tokësore. Situata ka qenë shumë e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Përveç afro 80 forcave operacionale vendore sot po operojnë edhe 65 forca të FA, me 2 mjete zjarrfikëse.
Qarku Kukës, është aktivizuar një vatër zjarri në fshatin Gegaj, bashkia Tropojë, pa rrezik për banesat. Janë angazhuar rreth 60 forca nga strukturat operacionale vendore dhe 5 mjete zjarrfikëse. Vatra ngelet aktive por e izoluar dhe pa rrezik për përhapje.
Në bashkinë Kukës, një vatër zjarri në zonë pyjore në vendin e quajtur Maja e Zezë, fshati Shëmri vazhdon të jetë në monitorim.
Qarku Korçë, në fshatin Gërmenj, bashkia Kolonjë është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pyje pishe. Terreni është i vështirë dhe forcat operacionale e kanë të pamundur ndërhyrjen. Situata është në mbikëqyrje nga MZSH Kolonjë.
Ministria e Mbrojtjes njofton se në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.
Mjete ajrore që kanë operuar gjatë ditës së djeshme: 1 Avion Canadair kroat; 2 Avionë PZL grekë; 1 Black Hawk nga Republika Çeke; 1 Black Hawk nga Sllovakia si edhe 2 Black Hawk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë.
Ndërkohë pritet të operojnë sot 2 Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe; 1 Black Hawk nga Republika Çeke; 1 Black Hawk nga Sllovakia si edhe 2 Black Hawk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë.
/rtsh.al/