E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Hapësira ime publike” – 3.698 raste të raportuara, 132 të zgjidhura në tri ditë

Vetëm tri ditë pas hapjes së portalit “Hapësira ime publike”, mijëra qytetarë kanë raportuar shkelje që lidhen me uzurpimin ose dëmtimin e hapësirave publike.

Sipas të dhënave të deritanishme janë regjistruar gjithsej 3.698 raste, nga të cilat 132 kanë marrë tashmë një zgjidhje.

Portali trajton një gamë të gjerë problematikash, përfshirë: zënien e trotuareve apo hapësirave komunitare, ndërtimet pa leje ose në shkelje të lejes, zaptimin dhe ndotjen e anës së rrugëve kombëtare, parkimin privat të paligjshëm, kantieret e ndërtimit pa rrethim të rregullt ose me ndotje mjedisore, ndotjen fizike ose akustike të hapësirës publike, shkelje të tjera në dëm të pronës publike, si dhe raste të dhënies së ryshfetit.

Hapja e këtij portali u njoftua nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi si një “dritare të re komunikimi në mbrojtje të hapësirës publike”. Ai theksoi se, nëse institucionet përkatëse nuk reagojnë brenda 24 orësh nga momenti i raportimit, qytetarët kanë të drejtë të plotësojnë një formular ankese për të adresuar shqetësimet e tyre.

Nisma synon të forcojë bashkëpunimin mes qytetarëve dhe institucioneve, duke ofruar një mekanizëm të shpejtë e transparent për mbrojtjen e hapësirave publike dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e tyre.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›