E Hënë, 2 Nëntor 2026

50-vjetori i Katedrës dhe Laboratorit të Albanologjisë, Begaj: Mirënjohje për promovimin e gjuhës dhe kujtesës arbëreshe

Presidenti Bajram Begaj, vizitoi Universitetin e Kalabrisë për të nderuar veprën e profesorëve dhe studiuesve të gjuhës shqipe në këtë universitet në 50-vjetorin e krijimit të Katedrës dhe Laboratorit të Albanologjisë.

Në një takim me profesorë, studiues dhe studentë të gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë Presidenti vlerësoi qendrën akademike që ruan gjuhën, kulturën dhe kujtesën arbëreshe.

 “Ky universitet, që është në zemër të rajonit të Kalabrisë, ka një mision tjetër shumë të rëndësishëm: të mbrojë, të promovojë dhe të trashëgojë gjuhën arbëreshe. I falënderoj nga zemra të gjithë profesorët e katedrës së gjuhës e të kulturës shqipe. Ky është një vit përkujtimor, ku bëhen 50 vjet të kësaj katedre, dhe uroj e besoj që kjo katedër do të përjetojë gjithmonë, do të jetë përjetë, do ta mbrojë përjetë arbërishten, sepse duke mbrojtur gjuhën dhe kulturën shqipe kemi promovuar edhe figurën e atij që themeloi këtë katedër, Françesko Solanos. Një punë e jashtëzakonshme 50-vjeçare, e ndjekur me shumë pasion nga profesor Altimari dhe shumë të tjerë që vazhdojnë e studiojnë arbërishten, e cila kulmon në promovimin dhe botimin e shumë veprave dhe librave që do t’i shërbejnë brezit të ri.

Është ajo çfarë ne na duhet për të ndërtuar të ardhmen tonë, për të ndërtuar të ardhmen e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Italisë.”, tha kreu i shtetit.

Begaj çmoi kontributin, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të studiuesve dhe profesorëve për ruajtjen e lidhjeve shkencore dhe kulturore ndërmjet Shqipërisë e shqiptarëve dhe komuniteteve arbëreshe si një trashëgimi që meriton respekt të veçantë.

Më tej, Kreu i Shtetit përgëzoi studiuesit për tekstin shkollor të sapobotuar për mësimin e gjuhës arbëreshe.  

Nga biblioteka e Universitetit të Kalabrisë, Presidenti iu bashkëngjit ftesës së profesor Altimarit për mbështetjen, forcimin dhe bashkëpunimin me tri qendrat e rëndësishme kërkimore dhe arsimore në Itali që i janë dedikuar gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, atë të Palermos dhe Romës.

Gjate vizitës në Universitetin e Kalabrisë, Presidenti i Republikës u prit në një takim të veçantë nga Rektori i Universitetit të Kalabrisë, profesor Nicola Leone.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›