E Diel, 1 Nëntor 2026

58,4% e tregtisë realizohet me BE, eksportet në rritje, por deficiti tregtar mbetet ende i lartë

Eksportet shqiptare shënuan një kthesë pozitive në muajin qershor, duke dhënë sinjale për një rimëkëmbje të aktivitetit tregtar pas një periudhe të gjatë tkurrjeje. 

Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e mallrave arritën në 35,4 miliardë lekë, me një rritje prej 13,6% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. 

Edhe importet u rritën me 9,1%, duke arritur në 83,5 miliardë lekë. 

Nga ana tjetër, vlen të theksohet se deficiti tregtar mbetet i lartë, në 48 miliardë lekë. 

Rritja e eksporteve është mbështetur kryesisht nga mineralet, energjia elektrike, materialet e ndërtimit dhe makineritë, ndërsa sektori i tekstileve dhe këpucëve vazhdon të shfaqë një performancë negative.

Panorama e shifrave tregon se zgjerimi i eksporteve po mbështetet më shumë te produktet me ndikim ciklik dhe lëndët e para, sesa te industria përpunuese, e cila tradicionalisht ka qenë një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend. 

Italia mbetet partneri kryesor tregtar, ndërsa eksportet drejt Kosovës u rritën me 38,5%. Në total, 58,4% e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë realizohen me vendet e Bashkimit Evropian, duke konfirmuar varësinë e ekonomisë shqiptare nga tregu europian.

Megjithatë, diferenca e madhe mes eksporteve dhe importeve tregon se ekonomia vazhdon të mbështetet fort te mallrat e importuara, duke e bërë ngushtimin e deficitit tregtar një nga sfidat kryesore për rritjen e qëndrueshme ekonomike. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›