E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Debatet ekonomike fitohen me fakte, jo me insinuata

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, reagoi sot në rrjetet sociale ndaj gazetarit Lutfi Dervishi, duke mbrojtur qëndrimet e saj mbi zhvillimet ekonomike në vend dhe duke theksuar se “debatet në ekonomi fitohen me fakte, jo me insinuata”.

Në reagimin e saj, Ibrahimaj kundërshton argumentet e gazetarit lidhur me pagat, pensionet, kursin e këmbimit dhe fuqinë blerëse, duke theksuar se ekonomia është një shkencë që mbështetet në të dhëna dhe analiza, jo në opinione.

Ministrja sjell të dhëna sipas të cilave paga mesatare mujore bruto në Shqipëri është rritur nga rreth 325 euro në rreth 963 euro, ndërsa kursi i këmbimit të euros ndaj lekut ka zbritur nga rreth 140 lekë në vitin 2014 në 93.55 lekë aktualisht.

Duke iu referuar debatit për varfërinë, Ibrahimaj sqaron se nuk ka deklaruar asnjëherë se me 140 euro në muaj një qytetar nuk është i varfër, por se ka cituar një tregues statistikor zyrtar të publikuar nga INSTAT, të ndërtuar sipas metodologjisë së Eurostat-it për matjen e rrezikut të varfërisë.

Sa i takon forcimit të lekut, ministrja thekson se ai është rezultat i një kombinimi faktorësh ekonomikë, si rritja e të ardhurave nga turizmi, remitancat, investimet e huaja, eksportet e mallrave dhe shërbimeve, të ardhurat nga puna, përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe karakteristikat e tregut valutor shqiptar, duke shtuar se ky vlerësim mbështetet edhe nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ibrahimaj pranon ekzistencën e ekonomisë informale, por thekson se nuk ka analiza zyrtare që provojnë se kapitali kriminal është faktori kryesor i mbiçmimit të lekut. Sipas saj, pretendime të tilla kërkojnë prova dhe jo aludime.

Në përfundim të reagimit, ministrja nënvizon se kush ka prova për shkelje të ligjit duhet t’ua paraqesë institucioneve përgjegjëse, ndërsa debatet ekonomike duhet të zhvillohen mbi bazën e argumenteve dhe fakteve.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›