6 filma në garë për gladiatorin e artë

Gjatë konferencës për shtyp, bashkë me drejtuesit vendorë morën pjesë edhe përfaqësues të ambasadave të huaja, të cilët do të mbështesin këtë veprimtari kulturore.
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, tha se megjithë vështirësitë financiare të këtij viti festivali konsiderohet një pasuri e qytetit, që po krijon një traditë të vyer. Dako uroi që edhe edicioni i pestë të shërbejë për ndërtimin e urave mes kulturave të vendeve të ndryshme, pjesëmarrëse në festival.
Filmi që do të ngrejë siparin e festivalit mbrëmjen e 26 gushtit në amfiteatrin e Durrësit do të jetë “Les Bien -Aimes” nga Christophe Honore. Një program me tre filma të tjerë do të përcjellë kulturën kinematografike franceze edhe në ditët e tjera të këtij edicioni.
Regjisori Kujtim Çashku tha se kinemaja ka nevojë për solidaritetin e të gjithë artistëve, në një realitet, që sipas Çashkut po dëgjohet në krahasim me fusha të tjera. “Kinemaja nuk është vetëm zbavitje”,tha më tej regjisori i njohur, duke theksuar se ajo dhe kultura në përgjithësi i japin kuptim edhe ekonomisë.
Gjashtë filma, produksione evropiane të viteve të fundit, do të konkurrojnë në seksionin "Vizione Bashkëkohore", duke synuar “Gladiatorin e artë” për filmin më të mirë si dhe çmimet për regjinë, aktorin dhe aktoren më të mirë. Nuk do të mungojnë edhe në këtë edicion konkurimet për Filmin më të mirë Ballkanik, Çmimi i Publikut dhe Çmimi i Kritikës (FIPRESCI).
Edicioni i pestë i Festivalit do të vazhdojë deri më 30 gusht dhe do të zhvillohet në amfiteatrin antik, teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe në Qendrën Kulturore të Rinisë.