6 vatra aktive zjarri në vend, problematike situata në Mirditë

Në të gjithë vendin janë ende 6 vatra aktive zjarri, ndërsa 19 të tjera janë shuar gjatë 24 orëve të fundit.
Emergjencat e Mbrojtjes Civile raportuan se problematikë është situata e zjarrit në fshatin Shëngjin në bashkinë Mirditë, ku për shkak të terrenit të vështirë ndërhyja është tepër e vështirë.
Aktualisht zjarri po ndjek një sipërfaqe të madhe me kullotë, shkurre dhe pisha dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Gjithashtu, mbeten aktive vatrat e zjarrit në Surroj dhe Shishtavec, bashkia Kukës – Skuraj, bashkia Kurbin – Sopot, bashkia Delvinë dhe Luf, bashkia Pukë, por ato nuk përbëjnë rrezik për qytetarët dhe pronat.
Në operacionet e fundit për shuarjen e zjarreve janë angazhuar:
– 128 forca zjarrfikëse,
– 80 forca ushtarake,
– 17 efektivë të Policisë së Shtetit,
– 69 nga strukturat e emergjencave civile të pushtetit lokal,
– 14 punonjës të administratës së zonave të mbrojtura,
– 42 pjesëtarë të shërbimit pyjor, dhe
– 52 vullnetarë.
Gjithashtu, në operacion është përfshirë edhe helikopteri Cougar, duke ndihmuar strukturat operacionale në kontrollin dhe shuarjen e zjarreve.
/rtsh.al/