“Para drejtësisë”/ Ekstradohet nga Gjeorgjia, shtetasi turk Yalcin Hanci

Është ekstraduar nga Gjeorgjia shtetasi turk Yalcin Hanci.
Ndaj këtij të fundit, GJKKO vendosi më 2022 masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
I ekstraduari, gjatë periudhës 2020-2021 ka qenë pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal që transportonte ilegalisht emigrantë nga Siria, Egjipti dhe Irani kryesisht në Itali, me skaf.
“Si rezultat i koordinimit të veprimeve me homologët në Gjeorgji, Interpol Tirana finalizoi procedurën për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit turk, të kërkuar ndërkombëtarisht, Y. H., 50 vjeç.
Shtetasi Y. H. akuzohet se gjatë periudhës 23.04.2020-01.10.2021, në bashkëpunim me shtetas të tjerë dhe me qëllim përfitimin, ka transportuar ilegalisht, në Itali, me skaf, por dhe në shtete të tjera të Bashkimit Europian, emigrantë nga Siria, Egjipti dhe Irani”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/