E Diel, 1 Nëntor 2026

612 policë në terren për zgjedhjet në 5 bashki, nga nesër merren në ruajtje 473 qendra votimi

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Të dielën do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashki të vendit. Policia e Shtetit njoftoi sot se ka hartuar një plan të detajuar masash për zbatim nga strukturat vendore ku do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme.

Policia njoftoi sot se në 5 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, Vlorë, Berat, Mat, Cërrik, Tepelenë ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe ditën e shtunë do të marrë në ruajtje 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi.

Sipas Policisë, lista me 612 punonjës dhe automjete policie, që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve, është dërguar në KQZ dhe është miratuar.

Shërbimet e Policisë që janë të planëzuara për ruajtjen e objekteve që do të shërbejnë si qendra votimi, do të instruktohen ditën e shtunë paradite dhe më pas do të shpërndahen në qendrat ku janë të planëzuara me shërbim.

Ditën e diel, që është dita finale, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.

Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të ketë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.

Më datë 9 nëntor, në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.

Sipas policisë janë marrë të gjitha masat që në çdo komisariat dhe drejtori, në territorin e të cilave do të ketë zgjedhje, të ketë grupe të gatshme për të vepruar në terren, në rast nevoje.

“Të gjithë këta punonjës janë të trajnuar dhe të miratuar nga KQZ-ja, dhe do të jenë të pajisur me mjetet e identifikimit dhe me jelekë të Policisë. Strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, të ngritura për hetimin e krimeve zgjedhore, janë në terren, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të tjetërsuar votën nëpërmjet shitblerjes apo formave të tjera”, njoftoi Policia.

Gjithashtu, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i koordinimit dhe drejtimit për procesin zgjedhor.

Policia e Shtetit është e angazhuar për të siguruar deri në fund mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në mënyrë që qytetarët e bashkive ku do të zhvillohen zgjedhje, ta ushtrojnë qetësisht dhe të sigurt të drejtën kushtetuese për të votuar.

Policia u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar apo që synon të tjetërsojë votën e tyre.

Gjithashtu, policia apelon për të gjitha subjektet politike që të zbatojnë me korrektësi detyrimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, për çdo rast të cenimit të ligjit.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›