E Hënë, 2 Nëntor 2026

65-vjetori i Petro Ninit i themelimit të “Petro Nini Luarasit”, takim brezash në gjimnazin e famshëm të kryeqytetit

65-vjetori i shkollës së mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi” u përkujtua këtë të premte me një aktivitet dhe me një takim brezash, ku morën pjesë ish-nxënës të kësaj shkolle, si dhe brezi aktual.

E pozicionuar në qendër të kryeqytetit, “Petro Nini Luarasi” ka lënë gjurmë në formimin e brezave të nxënësve që më vonë kanë drejtuar në nivelet më të larta të shtetit shqiptar, por edhe në rang ndërkombëtar.

“Në këtë sallë nuk jemi thjesht një komunitet, por një histori e përbashkët. Unë, si pjesa më e re e historisë së ‘Petro Ninit’, një histori e formuar nga pasioni për dijen, përkushtimi i mësuesve, arritjet e nxënësve dhe mbi të gjitha mbështetja e prindërve. ‘Petro Nini’ është bërë emër i njohur në olimpiada, konkurse kombëtare e ndërkombëtare, në universitete prestigjioze, në jetën akademike dhe atë profesionale,” tha drejtoresha e shkollës “Petro Nini”, Elsa Sheqi.

Dikur gjimnazistë të “Petro Ninit”, sot ata janë figura të njohura të politikës, mjekësisë, artit apo shkencës.

“Sigurisht, petroninas nuk lind, bëhesh, por unë kam lindur nga një petroninas. Babai im ka qenë te ‘Petro Nini’, xhaxhai im, halla ime…” u shpreh Bledi Çuçi, ish-ministër dhe nënkryetar i Kuvendit nga Partia Socialiste.

“Jam pjesë e familjes ‘Petro Nini’, patjetër. Unë jam matura ’92. I kujtoj me nostalgji ato vite, sepse tekefundit edhe zanafillën e grupit Ritfolk nga ‘Petro Nini’ e kemi,” kujtoi kantautori Altin Goci.

Historia e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, duke nisur nga stafi pedagogjik, drejtuesit apo nxënësit e saj, u shfaq për të pranishmit në një dokumentar të dedikuar këtij institucioni arsimor.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›